Nga Altin Zeqiri te Ismajl Beka, risitë e Kosovës për ndeshjet e shtatorit
Kombëtarja e Kosovës ka bërë publike listën për dy ndeshjet e shtatorit nën urdhrat e përzgjedhësit Primoz Gliha.
Tekniku slloven ka krijuar një listë krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim këta muajt e fundit, duke ftuar lojtarë të rinj, kryesisht që ishin pjesë e Kosovës U21.
Për herë të parë në ekipin A janë ftuar plotë pesë lojtarë të rinj, pra Andi Hoti, Valon Zumberi, Altin Zeqiri, Kreshnik Hajrizi dhe Ismajl Beka, si dhe ylli i Ballkanit Meriton Krenica.
Të gjithë këta lojtarë ishin pjesë e Kosovës në grupmoshat U21, kurse tani kanë rastin ta dëshmojnë kualitetin në dy ndeshjet jetike të shtatorit.
Në këtë listë një tjetër risi, ishte edhe kthimi i sulmuesit Bernard Berisha që s’ishte ftuar fare nga Alain Giresse për sa kohë ishte në krye të Kosovës.
Ndërsa, Gliha ka vendosur të mos ftojë lojtarët si Bersant Celina, Mirlind Kryeziu, Donat Rrudhani dhe Elbasan Rashani shkaku i minutazhës së ulët, lojtarë të cilët ishin të ftuar në kualifikueset e fundit.
Ismajl Beka dhe Kreshnik Hajrizi pa asnjë dyshim e merituan këtë ftesë të vonshme të Kosovës, meqenëse vitin e kaluar ishin protagonist kryesorë në ekipet e tyre.
Ftesë e papritur ishte edhe e Altin Zeqirit, i cili do të jetë alternativë e Vedat Muriqit në rast që “pirati” i Mallorcas pëson ndonjë lëndim.
Përndryshe, në këtë listë ndodhen edhe emra si Zymer Bytyqi, Valon Berisha dhe Arbër Zeneli, ani pse këta dy të fundit nuk janë duke luajtur te Reims derisa ish lojtari i Olympiacosit ka nisur ta gjejë formën te Antalyaspori.