“Nëse MKRS thotë që nuk ka shkelje, ne do ndjekim rregullat e shtetit” – Zymberi flet për zhvillimet e fundit - NACIONALE

“Nëse MKRS thotë që nuk ka shkelje, ne do ndjekim rregullat e shtetit” – Zymberi flet për zhvillimet e fundit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në rast që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ndryshon vendim dhe thotë që nuk është shkelur statuti i ligjit të sportit nga Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, atëherë edhe opozita do pranojë vendimet e shtetit, kështu deklarojë drejtori sportiv i FC Dritës, Valon Zymberi për Gazetën Nacionale.

Ministria e Sportit e kishte akuzuar FFK-në për shkeljen e ligjit për sport dhe të vetë Statutit të federatës duke i shpallur zgjedhjet për datën 6 prill, në të cilat Agim Ademi u rizgjodh president për një mandat të dytë katërvjeçar.

Dje, ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku në “Kanal 10”, foli në detaje për këto akuza, duke pranuar që kanë marrë përgjigjet nga FFK-ja dhe janë duke i rishikuar e pastaj do marrin vendimin përfundimtar.

“Kemi disa shqetësime dhe kemi kërkuar sqarime nga Federata dhe kemi pranuar përgjigjet e tyre dhe tashmë po besoj që pasi përfundojë Kuvendi Zgjedhor, ne jemi duke përgatit pozicionin tonë përfundimtar, që ndoshta mund të përfundojë në gjykatë”, ishte deklarata e Çekut.

Para disa ditëve, ministri Çeku edhe ka pranuar një letër zyrtare nga klubet që bojkotuan Kuvendin Zgjedhor (15 delegatë), të cilët i kërkuan ndihmë, por që ministri deklaroi se nuk duhet të presin ndihmë nga MKRS sepse ata do reagojnë vetëm nëse është shkelur ligji i sportit.

“Jemi duke i bërë të gjitha, e kuptojmë shqetësimin e këtyre delegatëve. Unë besoj që klubet dhe delegatët kanë të drejtë ta dërgojnë këtë çështje në gjykatë, mirëpo ata nuk mund të presin ndihmë nga ne sepse ne nuk i ndihmojmë, por e këqyrim ligjshmërinë”, theksoi Çeku.

Lidhur me këtë situatë, Zymberi për Gazetën Nacionale konfirmojë se nuk do drejtohen në gjykatë dhe do pranojnë vendimin e MKRS-së edhe pse nuk pret që Ministria e Sportit t’i “bie pishman”.

“Nëse MKRS ndryshon mendimin dhe thotë që nuk ka shkelje, atëherë ne do të ndjekim rregullat e shtetit. Mirëpo, shpresoj që Ministria e Sportit nuk i bie pishman sepse ata vetë kanë thënë që ka shkelje të statusit dhe ministri (Hajrullah Çeku) dje vetë e pranojë se kanë dyshime dhe kanë kërkuar sqarime nga FFK-ja dhe tani janë duke shikuar përgjigjet”.

“Shkeljet veçse shihen, ngase nuk është e nevojshme të shohësh në detaje sepse aty menjëherë vërehet se ka shkelje të statusit. MKRS do e vlerësojë dhe pastaj i takon gjykatës të vendos, mirëpo nuk besoj që gjykata do dal kundër vendimit të Ministrisë”.

Në fund, Zymberi tha se do presin vendimin përfundimtar të Ministrisë së Sportit dhe në rast që ndryshon, atëherë do shikojnë se ku duhet të drejtohen.

“Por, në rast që ajo ndodh (MKRS të pranojë se Kuvendi Zgjedhor është i ligjshëm), atëherë ne do të shikojmë pastaj se ku duhet të drejtohemi”.

Lajme të ngjashme