“Ndoshta lojtari ynë më i mirë”, Nagelsmann paralajmëron se mund ta përdorë Havertzin si mbrojtës të majtë
Përzgjedhësi i Gjermanisë Julian Nagelsmann planifikon të vazhdojë ta përdorë yllin e Arsenalit Kai Havertz në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë në Kampionatin Evropian.
Gjermani ka vuajtur për të treguar kualitetin që kur iu bashkua Arsenalit, por ndaj Turqisë të shtunën bëri një paraqitje fantastike si mbrojtës i majtë.
Ish ylli i Leverkusenit e shijoi më së miri pozitën e re, duke shënuar brenda vetëm pesë minutave. Gjermania në fund u mposht, ku vetë Havertz shkaktoi penalltinë duke prekur topin me dorë.
Mirëpo, Nagelsmann beson se Havertz ishte lojtari më i mirë në fushë dhe ka gjasa ta përdorë në atë rol edhe në “Euro 2024”.
“Kai tha se donte ta bënte, ta provonte atë pozitë”.
“Nuk e shoh rrezik, por si një mundësi shumë të madhe për të luajtur rol të rëndësishëm në Euro. Për herë të parë është pozitë jofamiljare, por bëri shumë mirë dhe ishte ndoshta lojtari ynë më i mirë”, tha ai për “Sky Germany”.
Havertz ka luajtur në disa pozita gjatë karrierës, përfshirë sulmuesin, si 9-sh fals, numër 10 dhe Arteta e përdor si qendërmesfushor.
Ai ka shënuar vetëm një gol për Arsenalin, atë duke u treguar i saktë nga pika e bardhë.