Ndërpritet seria pozitive e Juventusit, mposhtet nga Lazio - NACIONALE

Ndërpritet seria pozitive e Juventusit, mposhtet nga Lazio

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Lazio ka arritur ta mposhtë Juventusin në kuadër të javës së 29-të në Serie A me rezultat 2:1, kështu për t’ia ndërprerë serinë e suksesshme prej tri fitoreve radhazi dhe për t’ia vështirësuar punët në rrugën drejt arritjes së top katërshes.

Lazio po vinte e motivuar nga dy fitore radhazi, ndërsa zonja e vjetër nga një barazim në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë me Interin.

Për lacianët kjo ndeshje ishte e rëndësishme për t’u shkëputur në tabelë nga vendi tre dhe katër, pasi çështja e titullit kampion tanimë ka përfunduar pothuajse edhe pse matematikisht ka ende gjasa.

Gjatë 90 minutave u shënuan tre gola, dy në pjesën e parë dhe një i vetëm në të dytën.

Ishte mesfushori serb i Lazios, Sergej Milinkovic-Savic që shënoi për 1:0 në minutën e 38-të.

Pak minuta më pas, saktësisht minutën e 42-të, Adrien Rabiot shënoi për të barazuar rezultatin në 1:1, që ishte rezultati me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Pjesa e dytë u karakterizua me shumë pak raste të krijuara, me Lazion që kishte një dominim të lehtë në posedim të topit.

Goditja e vetme në portë nga dy skuadrat gjatë 45 minutave të dyta, përfundoi në rrjetë.

Ishte Mattia Zaccagni që shënoi në minutën e 53-të për 2:1, i asistuar mrekullisht nga Luis Alberto.

Në fund të takimit, ky doli të ishte rezultati përfundimtar. Lazio tani shkon në kuotën e 58 pikëve nga 29 ndeshje të zhvilluara dhe siguron vendin e dytë për të paktën edhe dy javë, ndërsa Juventusi qëndron me 44 pikë të mbledhura në vendin e shtatë.

Lajme të ngjashme