NBA: Warriors rikthehen me fitore në ndeshjen e tretë ndaj Kings - NACIONALE

NBA: Warriors rikthehen me fitore në ndeshjen e tretë ndaj Kings

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë në NBA u zhvilluan ndeshjet e treta të playoffit. Në rundin e tretë shënuan fitore Golden State Warriors ndaj Sacramento Kings me rezultat 114:97, për të shënuar fitoren e parë pas tri ndeshjeve. Phoenix Suns kaluan në epërsi me ndeshje ndaj Los Angeles Clippers me fitoren e mbrëmshme që përfundoi me rezultat 129:124. Philadelphia 76ers shënoi fitoren e tretë ndaj Brooklyn Nets me rezultat 102:97.

Warriors shkëlqyen ndeshjen e mbrëmshme duke mposhtur Kings me një epërsi prej 17 pikësh dhe duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim më tutje me rezultatin e përgjithshëm serik 1:2. Warriors dominuan gjatë gjithë ndeshjes dhe të dy pjesët, duke mos lëshuar as edhe një çerek. Ishin më të saktë në gjuajtje, trepikësh, më të shkathët në vjedhjen e topave. Steph Curry mori meritat për fitoren e mbrëmshme me 36 pikë, gjashtë kërcime, tre asistime dhe gjashtë trepikësh.

Suns shënuan fitore ndaj Clippers për të qenë një hap më afër kualifikimit në rundin tjetër. Padyshim ndeshje interesante që në dy çerek përfundoi me barazim. Suns ishin më të saktë në gjuajtje, asistime dhe trepikësh, ndërsa Clippers në gjuajtje të lira, më të shkathët në vjedhjen e topave dhe asistime duke baraspeshuar dominimin e ndeshjes. Të dy ekipet kishin minutat e vetë për të treguar atë që dinë të bëjnë më mirë, lojë të shkëlqyeshme basketbolli. Devin Booker ishte më meritori me 45 pike, gjashtë kërcime dhe tre asistime.

76ers janë në avantazh me 3 ndeshje të fituara ndaj Brooklyn Nets. 76ers janë një ndeshje larg kualifikimit më tutje dhe një ndër çerekfinalistët e parë. Nets patën dominim në çerekun e tretë prej më shumë se 15 pikëve por mbaroi me aq. 76ers ishin më të saktë në gjuajtje, trepikësh, bllok dhe vjedhjen e topave. Nets në gjuajtjet e lira duke shënuar 19 nga 22 dhe asistime me 22. Lojtari i ndeshjes së tretë u zgjodh për herë të dytë James Harden me 22 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime./Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme