NBA play-offs: Lakers dështon në minutat vendimtar, Denver Nuggets vetëm një fitore larg finales së madhe - NACIONALE

NBA play-offs: Lakers dështon në minutat vendimtar, Denver Nuggets vetëm një fitore larg finales së madhe

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Denver Nuggets e ka çuar në 3:0 rezultatin e përgjithshëm të serisë finale në Konferencën Perëndimore duke mposhtur Los Angeles Lakers 119:108, me Jamal Murray që shkëlqeu në pjesën e parë.

Për dallim nga dy fitoret e para që i morën në shtëpi, kësaj radhe Nuggets fituan në udhëtim, duke ia bërë vetës shumë më të lehtë mundësinë për të kaluar në finalen e madhe të NBA-së.

Çereku i parë nisi në mënyrë fantastike për Denverin, me Murray që përgjatë 12 minutave të para shënoi plot 17 pikë, për të çuar ekipin në epërsi prej 12 pikëve apo 32:20.

Lakers filloi të këndellej në periodën e dytë, ku ngushtoi rezultatin, duke shkuar në pushim të mespjesëve me vetëm tri pikë dallim në të mirë të mysafirëve, 58:55.

Çereku i tretë i takoi vendasve për një nuancë, por pa arritur të bëjnë dallimin e madh, ku Lakers fitoi 27:26.

Ashtu si në ndeshet e mëparshme, Los Angeles Lakers dështoi ta mbante vetën 12 minutat e fundit, kështu Nuggets triumfoi edhe në çerek të katërt me rezultat 35:26 apo epërsi e përgjithshme prej 11 pikëve, 119:108.

Padyshim më meritore për këtë fitore të Denver Nuggets ishte Jamal Murray që shënoi 37 pikë e kontribuoi edhe me shtatë rebounds e gjashtë asiste (30 pikë i shënoi vetëm në pjesë të parë), ndërsa ndihmë në momente të rëndësishme të ndeshjes mori edhe nga serbi, Nikola Jokic që realizoi 24 pikë, gjashtë rebounds e tetë asistime.

Jamal Murray Unleashes Astounding First Half for Nuggets vs. Lakers - Sports Illustrated

Te Lakers më i miri ishte Anthony Davis me 28 pikë e 18 rebounds, teksa nga 23 pikë shënuan edhe LeBron James e Austin Reaves, respektivisht, por që ishte e pamjaftueshme për të evituar humbjen.

Tani rezultati i serisë finale është 3:0 dhe në mëngjesin e hershëm të së martës së 23 majit mund të përfundojë gjithçka në Perëndim, nëse Denver arrin sërish fitore si mysafirë.

Lajme të ngjashme