NBA Play-offs: LA Lakers marrin fitoren e dytë ndaj Warriors, shkëlqen LeBron James
Los Angeles Lakers ka shënuar edhe fitoren e dytë në serinë gjysmëfinale të play-offit në Konferencën Perëndimore, kundër Golden State Warriors me rezultat të thellë 127:97. LeBron James dhe Anthony Davis shkëlqyen si gjithnjë për të marrë fitoren e radhës me vete.
Tani seria është 2:1 në të mirë të skuadrës nga Kalifornia, teksa ka një mundësi të artë ta çojë në 3:1, pasi edhe ndeshjen e radhës e zhvillojnë si vendas.

Sa i përket ndeshjes së mëngjesit të hershëm, Golden State Warriors vetëm në çerekun e parë ishte kundërshtar i denjë, ku fituan 30:23, pastaj Lakers ishin të pandalshëm.
Fillimisht në çerekun e dytë ata shënuan një përmbysje të madhe, duke fituar 36:18, për të shkuar në pushim me rezultat 59:48, apo 11 pikë epërsi.
Kjo epërsi vetëm sa u rrit në dy çerekët në vazhdim. Në 12 minutat e radhës Lakers fitoi 27:20, teksa në çerekun e fundit 41:29, në fund për të triumfuar me plot 30 pikë epërsi, 127:97.

Anthony Davis ishte lojtari më i mirë në këtë ndeshje me 25 pikë, 13 rebounds, katër bllokada, tri vjedhje topi e tri asistime dhe me saktësi në gjuajtje prej 70%, ndërsa u ndihmua nga LeBron James me 21 pikë, tetë rebounds e tetë asistime, e D’Angelo Russell shënoi 21 pikë vetëm brenda dy çerekëve të parë, për t’u mos u dukur më në pjesën e dytë të takimit.
Te Golden State Warriors, si gjithnjë më i miri ishte Stephen Curry me 23 pikë, katër rebounds e tre asistime, por nuk ishte dita e tij, pasi gjuajti 21 herë për të qëlluar nëntë sosh apo kthyer në përqindje, 42%.
Ndeshja e katërt gjysmëfinale zhvillohet në mëngjesin e hershëm të së martës, me Lakers që janë sërish vendas.
