NBA play-offs: Denver Nuggets me shumë vështirësi e fiton finalen e parë në Perëndim ndaj LA Lakers
Ka filluar seria finale në ligën më të fortë të Basketbollit në botë, NBA. Denver Nuggets ishte mikpritëse e Los Angeles Lakers në finalen e parë të Konferencën Perëndimore dhe vendasit nuk dëshpëruan duke marrë fitore, por kjo erdhi me shumë mund, duke fituar me rezultat të ngushtë 132:126.
Të dy skuadrat në finale arritën pas një serie mjaft të vështirë. Nuggets u përballen me Phoenix Suns në shtatë ndeshje, ndërsa Lakers me Warriors në gjashtë.
Përballja në Ball Arena të Colorados ishte pothuajse gjatë tërë kohës në dorën e vendasve, por që krejt në fund të çerekut të katërt Lakers u afruan shumë afër që ta përmbysin rezultatin.
Çereku i parë ishte më miri për Denver, të cilin e fituan me rezultat 37:25 apo 12 pikë epërsi, ndërsa e fituan edhe të dytin 35:29, duke shkuar në pushim me 18 pikë diferencë.
Los Angeles Lakers u bënë të gjallë në pjesën e dytë të takimit, me Anthony Davis e Austin Reaves, që shkëlqyen për t’iu afruar shumë fitores.
Çereku i tretë përfundoi në të mirë të mysafirëve me rezultat 38:34, duke zbutur epërsinë e Denverit në 14 pikë, para se të hynin në periodën e fundit të takimit.
Në 12 minutat e fundit, Lakers patën një ecuri të mirë shënimi dhe u mbrojtjen fort, duke lënë Denverin për herë të parë në këtë takim nën kufirin e 30 pikëve për çerek, apo ndryshe e fituan 34:26, teksa në një rast takimi u afrua në vetëm tre pikë, por kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi Denver Nuggets në fund triumfoi me rezultat 132:126.
Më i miri në këtë takim ishte serbi, Nikola Jokic, i cili realizoi dyshifror të trefishtë prej 34 pikëve, 21 rebounds e 14 asisteve dhe u ndihmua nga Jamal Murray që shënoi 31 pikë, pesë rebounds e pesë asiste.
Te Lakers u dalluan Anthony Davis me 40 pikë, 10 rebounds e tre asiste, LeBron James me 26 pikë, 12 rebounds e nëntë asiste dhe Austin Reaves me 23 pikë e tetë asiste (11 pikë i shënoi në çerekun e katërt).
Ndeshja e dytë finale në Perëndim do të zhvillohet sërish në arenën e Denver Nuggets, në mëngjesin e hershëm të së premtes me orë lokale të Kosovës (02:30), ndërsa seria e finaleve në Konferencën Lindore fillon në mëngjesin e nesërm në po të njëjtën orë ndërmjet Boston Celtics e Miami Heat.

