NBA play-offs: Boston Celtics bëhet ‘e gjallë’, në prag të eliminimit fiton ndaj Miami Heat
Boston Celtics më në fund ka arritur deri te fitorja e parë në serinë finale të Konferencës Lindore, ku e mposhti Miami Heat me rezultat 116:99, për ta çuar serinë në ndeshjen e pestë apo rezultatin e përgjithshëm 3:1.
Kjo ndeshje për Celtics ishte ‘jetë a vdekje’, pasi një humbje do të thoshte eliminim me rezultat të turpshëm 4:0 apo siç njihet në termin ndërkombëtar të basketbollit ‘sweep’.
Përballja në FTX Arena, nuk ishte nga ato paraqitjet më të mira të Miamit, që jemi mësuar ta shohim në këto ndeshje të play-offit, ndonëse iu shkaktuan mjaftë vështirësi në pjesën e parë.
Heat e nisi mirë takimin duke fituar çerekun e parë me rezultat 29:23, ndërsa 12 minutat e ardhshëm ishin të barabartë 27:27, duke shkuar në pushim me gjashtë pikë epërsi apo 56:50.
Çereku i tretë ishte ai që ia solli fitoren Boston Celtics, ku ishin të pandalashëm me 38 pikë të shënuara dhe vetëm 23 të pranuara, duke hyrë në periodën e fundit me nëntë pikë epërsi, 88:79.
Edhe 12 minutat e fundit i takuan Bostonit, ku fituan 28:20, në fund për të triumfuar me +7 pikë, 116:99.
Padyshim, më i miri në këtë takim ishte ylli Jayson Tatum, që kontribuoi me 33 pikë, 11 rebounds dhe shtatë asiste, me një saktësi prej afër 64% në gjuajtje për dy dhe tre pikë.
/cdn.vox-cdn.com/uploads/chorus_image/image/70691215/1347268411.0.jpg)
Ai ndihmë pati edhe nga Derrick White e Jaylen Brown, që shënuan 16 dhe 17 pikë, respektivisht. Në anën tjetër si gjithnjë u dallua Jimmy Butler me 29 pikë, nëntë rebounds e pesë asiste, por Bam Adebayo nuk arriti të kishte ndikimin e tij, si në ndeshjet e tjera.
Ndeshja e pestë finale do të zhvillohet në mëngjesin e hershëm të së premtës, me fillim nga ora 02:30 me Boston Celtics si vendase. Një fitore e Miamit do t'i kualifikonte ata në finalen e madhe, ku i pret Denver Nuggets.
