NBA play-off: Miami Heat shumë pranë finales, pas fitores së tretë kundër Celtics
Miami Heat është vetëm një fitore larg finales së NBA-së, pas një fitoreje të lehtë 128-102 kundër Boston Celtics në ndeshjen e tretë në finale të Konferencës Lindore.
Heat udhëheq 3:0 me ndeshje dhe i nevojitet vetëm edhe një fitore për të kaluar në finale.
Gabe Vincent shkëlqeu me 29 pikë në këtë ndeshje, ndërsa përballja e katërt do të luhet në Miami.
Fituesi do të përballet me Denver Nuggets apo Los Angeles Lakers.
Nuggets udhëheq 3:0 me ndeshje kundër Lakers në finalen e Konferencës Perëndimore me ndeshjen e katërt, që mund të jetë e fundit, që zhvillohet sonte pas mesnatës me kohën tonë lokale.
“Nuk e di nëse i befasuar është fjala. Ne luajtëm mirë sonte. U mbrojtëm. Bëmë gjuajtje”, tha Vincent për rezultatin e njëanshëm.
“Në ndeshjen e radhës ne futemi me mendësinë për të shkuar dhe garuar në nivel të lartë, të mbrohemi, ta lexojmë lojën siç duhet dhe thjesht të luajmë basketboll të mirë”, shtoi ai.
“Janë katër ndeshjet e para. Ne nuk jemi të kënaqur me tri”.
Asnjë ekip në historinë e NBA-së nuk ia ka dalë të rikthehet nga një disavantazh prej 3:0 për ta fituar serinë.
