NBA: Nuggets dhe Suns në rundin e dytë të playoffs
Në ndeshjet e pesta të playoff në NBA, u kualifikuan më tutje lideri i konferencës perëndimore Denver Nuggets dhe ekipi Phoenix Suns, ndërsa Atlanta Hawks ia vështirësoi punën Boston Celticsit duke shënuar fitoren e dytë që dërgon rezultatin serik në 3-2.
Atlanta Hawks luftoi me mish dhe shpirtë që të kualifikohet më tutje me një ndeshje të mrekullueshme ndaj Celtics, që përfundoi me rezultat 119:117. Hawks shënuan 10 nga 10 gjuajtjet e lira dhe 19 nga 40 tentimet për trepikësh. Celtics ishin goxha të saktë në gjuajtje, asistime dhe bllokada. Fillimisht dominoi Hawks para se Celtics të rikthehej me një epërsi prej 10 pikëve në çerekun e dytë. Çereku i tretë u dominua gjithashtu nga Celtics, por çereku i katërt ishte totalisht në duart e ‘shqiponjave’, fillimisht Hawks ishin në epërsi 116:115, Celtics kaluan në epërsi me anë të dy gjuajtjeve të lira 116:117 dhe për Hawks, Trae Young shënoi trepikësh në sekondin e fundit të ndeshje për t’i dhuruar fitoren Hawks. Gjithashtu Young ishte lojtari kyç i Hawks me 38 pikë, 13 asisitme dhe katër rebounds.
Suns eleminuan Los Angeles Clippers nga gara e playoff me rezultat 136:130 dhe me ndeshje 4-1. Ndeshja ishte e luhatshme, çerekun e parë dhe të tretë dominuan Suns ndërsa Clippers çerekun e dytë dhe të katërt. Clippers kishin një epërsi prej 11 pikësh në çerekun e dytë e në të tretin Suns u rikthyen me një epërsi prej 26 pikëve. Suns ishin më të saktë në gjuajtje, trepikësh dhe në gjuajtjet e lira, më shumë asistime, më të shkathët në vjedhjen e topave dhe në blloka. Devin Booker ishte më meritori i ndeshjes me 47 pikë, dhjetë asistime dhe tetë rebounds.
Nuggets triumfuan ndaj Minnesota Timberwolves me rezultat 112-109, 4-1 me ndeshje. Wolves filluan ndeshjen me vrull në çerekun e parë por dështuan në çerekun e dytë që epërsinë të marrin Nuggets. Në pjesën e dytë dominuan Nuggets me 12 trepikësh të shënuar nga 34 dhe 32 gjuajtje të lira nga 36. Më të shkathët në aksion, asistime dhe blloka. Jamal Murray kontribuoj me 35 pikë, pesë asistime dhe katër rebounds si lojtari më meritor i ndeshjes.
Nuggets do të takohen me Phoenix Suns në rundin e dytë të playoffs. Sonte (e mërkurë) do të zhvillohen katër ndeshje. Knicks ndaj Cavaliers që me rezultat serik është 3-1 në të mirë të Knicks. Lakers po dominojnë Grizzlies me rezultat 3-1. Heat po mposhtin liderin e konferencës lindore 3-1 dhe derbi i natës Warriors ndaj Kings ku të dy ekipet kanë nga dy ndeshje të fituara.