Nazmi Gripshi: E dominuam Astanën, na mungoi vetëm goli
Një nga më të mirët sot nga Ballkani në barazimin 0:0 me Astanën në udhëtim, padyshim që ishte Nazmi Gripshi. Mesfushori shqiptar pas ndeshjes tha se dominuan takimin dhe vetëm goli iu mungoi në këtë përballje, të cilët e cilëson si një nga më të mirat në udhëtim.
Ballkani barazoi pa gola me Astanën në kuadër të xhiros së katërt në grupe të Ligës së Konferenës, pavarësisht se Kampioni i Kosovës e dominoi tërësisht takimin.
Gripshi që pati rastin më të mirë të takimit, tha se në këtë përballje iu mungoi vetëm goli.
“E vërtetë që kemi bërë një nga ndeshjet më të mira në udhëtim. Mungoi vetëm goli sot, sepse e dominuam Astanën. Na mungoi fati për të marrë tre pikët e plota. Pata një rast të mirë, nuk shënova, por ishte meritë edhe e portierit. Pata hapësirë e gjuajta. Duhej të shënoja, por fati nuk ishte me ne. Sot edhe një herë treguam se jemi ekip më i mirë, por nganjëherë nuk mjafton vetëm loja e mirë, duhet konkretizuar rastet.”
Të pranishëm në stadium ishin një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, që kishin ardhur në përkrahje të skuadrës nga Suhareka dhe Gripshi tha se ishte ndjenjë e mirë kur panë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Kur pamë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, ishte një ndjenjë e mirë, pasi kanë bërë tërë atë rrugë për të na mbështetur. Ata na motivuan edhe më shumë. Fitorja do të ishte më e mirë, pasi do t’i gëzonte ata që nuk u ndalën duke na motivuar”, shtoi për fund fantazisti shqiptar për ArtMotion.

