Ilir Daja: I kënaqur me barazim por fitorja do të ishte rezultat më i mirë
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, pas ndeshjes ku skuadra e tij barazoi me Astanën 0:0 në udhëtim, ka thënë se është i kënaqur me barazimin, por se merituan më shumë se një pikë nga ajo çfarë dhanë në fushë.
Ballkani luajti pa gola me Astanën në Kazakistan në kuadër të xhiros së katërt të grupeve në Ligë të Konferencës, dhe të dy skuadrat tani kanë nga katër pikë, në vendin e dytë dhe të tretë respektvisht, në këtë moment.
Daja pas ndeshjes për ArtMotion tha se skuadra e tij luajti shumë më mirë, dhe po të konkretizonin rastet, do të dilnin me fitore nga ky udhëtim i vështirë.
“Besoj se meritonim më shumë sepse kemi kontrolluar më shumë topin, në përqindjen më të madhe e kemi diktuar lojën. Kemi pasur shanset tona që po të kishim shënuar do ta kishim fituar lojën. Kemi bërë një lojë shumë të mirë, sepse ndryshimi i orarit gati pesë orë me Kosovën është e ndjeshme por nuk e hetuam këtë gjë. Bëmë lojë më të mirë se në Prishtinë, edhe pse përball kishim një ekip shumë të fortë fizikisht e taktikisht. I kënaqur me barazim por që fitorja do të ishte rezultat më i mirë.”
Trajneri shqiptar pas ndeshjes shtoi se në objektivat e klubit nuk ishte kalimi i grupeve, por me fitoren ndaj Dinamos u rritën pritshmëritë dhe tani deri në fund do të luajnë për shanset e tyre.
“Barazuam rekordin e pikëve nga viti i kaluar. Jemi mirë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, për t’i luajtur shanset deri në fund për të kaluar grupin. Nuk kemi pasur objektiva të tilla në fillim, por fitorja ndaj Dinamos rriti pritshmërinë.”
