Napoli vazhdon mbretërimin në Serie A, e mposht me lehtësi Sassuolon
Lideri i Serie A-së, Napoli, dita ditës është duke e konfirmuar se është skuadra më e mirë aktualisht në kampionatin italian, duke mposhtur lehtësisht kundërshtarët. Një gjë të tillë e ka bërë edhe sot, duke e mposhtur si mysafir Sassuolon me rezultat 2:0.
Dy lojtarët më në formë te napoletanët, Khvicha Kvaratskhelia dhe Victor Osimhen, ishin ata që realizuan për të sjellë tre pikët e radhës, ndërsa vendasit ishin të pafuqishëm për të shënuar.
Në fakt edhe Sassuolo shënoi një herë pesë minuta pa përfunduar pjesa e parë, por goli i Armand Lauriente u anulua nga dhoma e VAR-it.
Golin e epërsisë së parë për Napolin e shënoi fenomeni gjeorgjian, i cili po kalon sezon ëndrrash. Ai në minutën e 12-të pranoi një top nga Mathias Olivera në mesin e fushës, për të kaluar pothuajse tërë ekipin e Sassuolos për të shënuar për 1:0.
Video
Video Video was uploaded to Streamin.me on Feb 18, 2023.
Në minutën e 33-të të kaltrit shënuan edhe golin e dytë për rezultatin 2:0, që ishte thjesht një gol i jashtëzakonshëm, ku nga një pozitë jo shumë e favorshme me ndihmën edhe të pozicionimit të gabuar të portierit erdhi goli.
Në vazhdim të ndeshjes, Napoli vazhdoi dominimin në fushë edhe pse ishte tashmë në epërsi solide, por më gola nuk pati dhe takimi përfundoi me rezultat 2:0.
Tashmë kur napoletanët kanë zhvilluar 23 ndeshje, ata kanë grumbulluar 62 pikë, 18 më shumë se ndjekësi i parë Interi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe ende jo matematikisht, por lufta për titull në Itali duket se ka përfunduar tashmë.

