Napoli nis kontaktet me Antonio Conten
Presidenti i Napolit Aurelio de Laurentiis ka hapur bisedimet me trajnerin Antonio Conte, pasi po konsideron shkarkimin e Rudi Garcias.
“Napolitanët” e kanë nisur dobët me teknikun francez, duke qenë në vendin e pestë në Serie A pas tetë ndeshjeve. Skuadra italiane gjithashtu ka qenë mesatare në Ligën e Kampionëve pasi fitoi 2:1 ndaj Bragas dhe u mposht nga Real Madrid 2:3.
Kësisoj, De Laurentiis ka shfrytëzuar pushimin ndërkombëtarë për të shikuar nëse mund ta gjejë pasuesin adekuat pasi po e konsideron seriozisht shkarkimin e Garcias.
Siç raporton gazetari i besueshëm Gianluca di Marzio, De Laurentiis ka kontaktuar Conten për të parë nëse është i disponueshëm për të drejtuar skuadrën, mirëpo për momentin është e paqartë nëse do t’i pëlqente kjo mundësi ose të dihen kërkesat e tij për pagë.
Trajnerët e tjerë, si Igor Tudor dhe Christophe Galtier gjithashtu kanë qenë të lidhur me Napolin mirëpo skuadra s’është e interesuar për ndonjë alternativë tjetër përpos Contes.
#Napoli, il punto sul futuro di #Garcia. C'è #Conte sullo sfondohttps://t.co/KtAG5zTm5u
— Gianluca Di Marzio (@DiMarzio) October 10, 2023
“Sky Sport Italia” në anën tjetër raporton se ish trajneri i Chelseas së fundmi ka kërkuar kontratë trevjeçare dhe një pagë të ngjashme me atë që i ishte ofruar Luis Enriques në verë.
Ende nuk dihet nëse Napoli do t’ia plotësojë kërkesat pasi De Laurentiis së fundmi deklaroi “Shyqyr Zotit nuk e mora Enriquen”, pas rezultateve zhgënjyese të këtij të fundit në Francë.