Nagelsmann vazhdon kontratën me Gjermaninë - NACIONALE

Nagelsmann vazhdon kontratën me Gjermaninë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Kombëtares së Gjermanisë, Julian Nagelsmann, e ka vazhduar kontratën, që do ta mbajë atë në krye të detyrës deri pas përfundimit të EURO 2028, siç njofton Federata gjermane e Futbollit.

Nagelsmann, i cili mori drejtimin në shtator 2023, udhëhoqi gjermanët në çerekfinale të EURO 2024 në tokën vendase, duke u eliminuar nga Spanja, me këta të fundit që në fund triumfuan.

Kontrata e tij fillestare do të zgjaste deri në Kupën e Botës 2026, e bashkëorganizuar nga Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja, ndërsa tani do të ketë dy vite më shumë me kontraten e re.

Ish-trajneri i Bayern Munichut, Nagelsmann u bë trajneri i dytë më i ri i Gjermanisë ndonjëherë kur mori drejtimin në moshën 36-vjeçare.

“Kur erdha në DFB në shtator 2023, nuk mund ta imagjinoja të isha një trajner i kombëtares përtej Kampionatit Evropian në Gjermani”, tha Nagelsmann në një deklaratë.

"Mesazhet e mira që marrim çdo ditë, na tregon se rrugëtimi ynë së bashku është në rrugën e duhur. Ne duam të fitojmë tituj së bashku," tha ai.

Julian Nagelsmann karrierën e tij e filloi si trajner i Hoffenheim, ku e drejtoi këtë skuadër për tri vite dhe në sezonin e parë u shpall trajneri më i mirë i vitit në Gjermani.

Nga aty vazhdoi te Leipzig për dy sezone, e pastaj në Bayern Munich.

Deri më tani nuk ka fituar diçka me Gjermaninë, por vetëm një titull të Bundesligës me Bayern Munich dhe dy herë Superkupën e Gjermanisë.

Lajme të ngjashme