Nadal tërhiqet nga Wimbledon, Kyrgios në finale - NACIONALE

Nadal tërhiqet nga Wimbledon, Kyrgios në finale

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Rafael Nadal është tërhequr nga Wimbledoni për shkak të një lëndimi që e pësoi në bark gjatë triumfit kundër Taylor Fritz në çerekfinale të mërkurën, dhe si pasojë Nick Kyrgios do të kalojë në finale pa lojë.

Wimbledoni njoftoi sot në mbrëmje se spanjolli Nadal nuk është në gjendje të luajë në gjysmëfinale kundër australianit Kyrgios të premten për shkak të një çarjeje muskulore më bark. Kyrgios do të jetë në një finale grand slam për herë të parë në karrierën e vet

Nadal u përpoq në maksimum që të vazhdonte rrugën në Wimbledon dhe të arrinte grand slamin e 23-të në karrierë, por dhimbjet që po i ndien nuk e lejojnë të jetë në njëqind për qindëshin e tij dhe spanjolli nuk preferon që ta rrezikoj shëndetin, por edhe mos ta rrezikoj pjesëmarrjen në grand slamin e fundit për këtë vit, US Open.

Nadal pasi u tërhoq tha: “Nuk dua të dal atje të luaj dhe mos të jem në më të mirën time për të garuar denjësisht. Më e rëndësishme është lumturia e shëndeti se titulli.”

Pasi që Nadal nuk do të luaj, Nick Kyrgios kalon pa ndeshje në finale ku e pret fituesin nga gjysmëfinalja tjetër mes Novak Djokovic e Cameron Norrie, ndeshje kjo që do të zhvillohet nesër në Centre Court.

Nadal për të arritur deri këtu i fitoi pesë ndeshje, ku vetëm këtë të fundit ndaj amerikanit Fritz e pati më problem pasi iu deshtë ta fitonte edhe setin e pestë për të arritur fitoren.

Spanjolli kampanjën e hapi kundër argjentinasit Cerundolo duke e mposhtur 3:1 në sete, pastaj i mposhti Berankis, Sonego dhe Zandschulp për të arritur në çerekfinale.

Ëndrra për t’u bërë tenisti i vetëm që fiton të gjitha grand slamet te burrat për Nadalin përfundoi këtu.

Lajme të ngjashme