Pamje: Muriqi i pandalshëm, shënon edhe në Kupën e Mbretit
Vedat Muriqi nuk ka të ndalur në futbollin spanjoll. Ai ka shënuar golin e dytë të Mallorcas në udhëtim ndaj Pontevedra, duke dërguar shifrat në 0:2.
Sulmuesi kosovar po vijon të gëzojë formë të mirë. Muriqi ndonëse ndeshjen nuk e nisi si titullar, pasi u pushua nga trajneri meksikan, ai sërish ia doli të lërë gjërmë.
Kështu që, në minutën e 104-të arriti të shënojë për 2:0, duke kompletuar kështu golin e 14-të sezonal (duke llogaritur edhe paraqitjet me Kombëtaren e Kosovës).
Ai në këtë ndeshje bëri dallimin, pasi skuadra po haste në vështirësi të madhe. Me rezultatin 0:0 ekipet shkuan në vazhdimet prej dy pjesëve nga një çerek lojë.
Muriqi hyri në lojë në minutën e 82-të. Atij nuk iu deshën shumë koha për ta shërbyer me asist bashkëlojtarin e tij Prats, i cili në minutën e 97-të zhbllokoi ndeshjen në 1:0
Ndërkaq shtatë minuta më vonë e shënoi edhe golin e tij personal, që ishte edhe i pari në Kupën e Mbretit për sezonin e sivjetëm.
Kështu që, viti 2023 për 28-vjeçarin nisi në formën më të mirë. I gjithë fokusi i tij dhe skuadrës tani e tutje do të jetë që të sigurohet mbijetesa sa më parë të jetë e mundur në La Liga.
Në kampionatin spanjoll Muriqi renditët i dyti për nga numri i golave të shënuar (8), po aq sa kanë edhe Iglesias dhe Joselu. Ndërkaq primatin e mban Lewandowski. Një distancë kjo që mund të ngushtohet, marrë parasysh që ylli polak do ta vuajë dënimin e pezullimit me tri ndeshje moslojë në javët në vazhdim.
