Munishi: Gjithë këto gabime s'janë rastësi, gol prej aeroplani, penallti një pas një kundër nesh
Trajneri i Prishtinës, Ismet Munishi, pas barazimit të skuadrës së tij me Ballkanin 2:2, ka thënë se këto gabime aq të shpeshta të gjyqtarëve nuk janë rastësi dhe se ata po ia mohojnë pikët në këtë kampionat, ndërsa ka thënë se është i kënaqur me angazhimin e futbollistëve.
Prishtina po avanconte me dy gola të shënuar shpejt në pjesën e dytë, por krejt në fund Ballkani arriti të barazonte edhe me një penallti të akorduar në minutat shtesë, gjë që shtyri Munishin të reagonte pas ndeshjes.
Ai tregoi se ishte taktikë që skuadra e tij të luante futboll më të tërhequr në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ndryshoi diçka në formacion për të marrë ndeshjen në kontroll.
“Kampionati ynë është bërë kualitativ, ka skuadra shumë të mira, luajnë futboll shumë të bukur, kështu që duhet me i marrë edhe masat taktike dhe duhet me kalkuluar brenda ndeshjes. Pjesën e parë e zhvilluam ashtu siç deshëm, unë me qëllim e tërhoqa skuadrën, pjesën e dytë bëmë zëvendësimin me Susurin që të qarkullonte topin më mirë dhe të dalim në tranzicion më shpejt, ku arritëm t’i shënonim dy gola.”
Munishi nuk ishte aspak i kënaqur me vendimin e gjyqtarit për të akorduar penallti në minutat shtesë, duke thënë se nuk është më rastësi të gabohet ndeshje pas ndeshje ndaj tyre./Nacionale
“Jam i kënaqur me angazhimin, luftën dhe gjithçka që bënë futbollistët, mirëpo ky është i sati penallti që na referohet në këtë formë, që lirisht mund të ishte faull në portier. Kjo me të vërtetë është e tepërt, është bërë e tepërt kjo punë, sepse në Ferizaj na prishte VAR-i 15 minuta, në Klinë na vjen goli nga aeroplani, ai goli i famshëm, me Dritën një penal, e sata lojë që nuk ka kriterium të njëjtë ndaj neve. Unë bëj apel të mos na dëmtojnë, sepse po derdhim djersë, mund, të gjithë po angazhohemi dhe bëj apel që mos na dëmtoni. Nuk ka të bëjë kjo me rastësi, gjitha këto gabime. Ajo gabim, kjo gabim, kampionati po shkon, pikët po ecin, nuk është në rregull, edhe ashtu Ballkani ka skuadrën e fort dhe nuk ka nevojë për ndihmë.”
Trajneri i kryeqytetasve ka insistuar që t’i lejnë atë dhe skuadrën e tij të luajnë futboll siç duhet dhe jo me gjykimin e kësaj forme të ndikohet në rezultatet e tyre./Nacionale
“Ne jemi në tranzicion, po bëjmë gjithçka që këta lojtarë t’i inkorporojmë sa më shpejtë sepse kemi shumë futbollistë kualitativ, veç kisha pas dëshirë të na lejnë të bëjmë punën tonë.”

