"Mund të jetë një shenjë" - Gundogan tregon arsyen se pse zgjodhi numrin 19 te Manchester City
Ilkay Gundogan është përsëri lojtar i Manchester Cityt dhe kësaj radhe do ta mbajë numrin 19, teksa ka treguar arsyen e tij që fshehet pas kësaj zgjedhje.
Vetëm një vit pasi u largua nga Manchester City për në Barcelonë, Gundogan është rikthyer në Etihad Stadium si transferim i lirë dhe ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me klubin. Reprezentuesi gjerman ka zgjedhur të veshë numrin 19, të cilin më parë e mbante Leroy Sane te City.

Gundogan veshi fanellën me numrin tetë për shtatë vjet gjatë qëndrimit të tij të parë në Manchester City. Megjithatë, me Mateo Kovacic që tani ka veshur atë numër specifik të fanellës, 33-vjeçari tani ka shpjeguar pse zgjodhi numrin 19. Ai e bëri këtë pavarësisht se numrat 21 dhe 22 ishin në dispozicion për përzgjedhje, numra që ai kishte veshur për Gjermaninë dhe Barcelonën, përkatësisht.

Duke folur për mediat e klubit, Gundogan tha: "Mendova pak rreth kësaj. Numrat 21 dhe 22 ishin gjithashtu të lirë - unë kisha numrin 22 vitin e kaluar në Barcelonë dhe 21 në Kombëtaren gjermane, por nuk fitova asnjë trofe me këta numra, kështu që mendova se numri 19 ishte midis 18 dhe 20 – dy miqtë e mi Bernardo Silva dhe Stefan Ortega, kështu që kjo mund të jetë një shenjë. Unë thjesht shkova për këtë - le të shohim. Shpresoj se nuk është numri që do të ketë një ndikim të madh, shpresoj se ndikim do të ketë mënyra si luaj dhe sillem dhe mënyra se si do të jemi si ekip. Mund t'ju siguroj se do të përpiqemi për të dhënë më të mirën që të fitojmë më shumë trofe.”
33-vjeçari ishte pjesë e përgatitjes parasezonale të Barcelonës dhe është plotësisht i gatshëm të fillojë drejtpërdrejt përgatitjet e ndeshjes me Manchester Cityn dhe mund të jetë pjesë e skuadrës së Guardiolës për përballjen e Cityt kundër Ipswich Town të shtunën, më 24 gusht.