Muharrem Jashari për herë të parë i bashkohet Kosovës, largohet Astrit Selmani
Mesfushori Muharrem Jashari do t’i bashkohet kombëtares së Kosovës për herë të parë në dy ndeshjet e muajit tetor, duke e zëvendësuar sulmuesin Astrit Selmanin.
FFK-ja me anë të një komunikate zyrtare ka njoftuar tifozët për këtë “zëvendësim” të lojtarëve, sidoqoftë nuk kanë dhënë asnjë arsye specifike.
“Lajme nga ekipi kombëtar. Në vend të Astrit Selmanit, ekipit i bashkohet Muharrem Jashari”, thuhet ndër të tjera.
Jashari ishte vetëm në listën e gjerë kur u publikua listën ditën e premte, sidoqoftë duket se Foda tani e ka ftuar në ekipin A.
Kosova ka mungesa në mesfushë dhe ardhja e Jasharit padyshim do të jetë fantastike për “Dardanët” ngase do të jetë një opsion tjetër.
Kujtojmë, Kosova fillimisht është mysafir i Lituanisë më 12 tetor, kurse tre ditë më vonë e pret Qipron në “Fadil Vokrri”.