"Mirëdita": Fjalët e para të Franco Fodës si trajner i Kombëtares së Kosovës - NACIONALE

"Mirëdita": Fjalët e para të Franco Fodës si trajner i Kombëtares së Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Franco Foda është prezantuar si trajner i Kombëtares së Kosovës.

Prezantimi i tij u bë me një video-përmbledhje, teksa i pari i FFK-së tregoi pak për karrierën e tij si lojtar dhe si trajner në fillim.

Pas kësaj, Foda e mori fjalën, duke e nisur në gjuhën shqipe: "Mirëdita."

Ai vazhdoi tutje duke treguar rreth punës së tij, se sa njeh futbollistët që do të punojë dhe shumë problematika të tjera.

"Faleminderit. Ishte një video prezantim i bukur. Meandoj se është ditë speciale për të gjithë këtu në Kosovë dhe për mua gjithashtu është ditë speciale. Jam i lumtur që jam këtu," ishin fjalët e para të 57-vjeçarit gjerman.

"Jam këtu për një sfidë të re, jam optimist se do të jemi të suksesshëm së bashku."

Kur u pyet për presionin, duke ditur rezultatet jo të mira të Kosovës në kohët e fundit, Foda tregoi se ka shikuar disa nga ndeshjet e fundit, dhe se po shikon përpara për t'u ambientuar sa më shpejt.

"Nuk e ndjej presionin. Jam i bindur se së bashku me FFK-në do t'ia dalim. Për mua me rëndësi është t'i njoh lojtarët sa më shpejt. Kam shikuar disa ndeshje të fundit, qëllimi është të hyj në rrjedha sa më shpejt."

Ndër pyetjet për trajner, i pari i FFK-së u pyet nëse do të largohet nëse edhe ky trajner nuk do të ketë suksese dhe përgjigja e Agim Ademit si gjithnjë me një arroganë të tepruar që tha se kjo nuk do të ndodhë kurrë.

"Mos prisni të jap dorëheqje. Kjo nuk do të ndodhë kurrë."

Foda ka treguar se njeh disa lojtarë të Kombëtares së Kosovës.

"Shikoj ligat e forta. E njoh Amir Rrahmanin e Napolit, Vedat Muriqin që luan te Mallorca, Rashicën që tani është në Turqi, Paqaradën në Koln, Alitin."

Trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës u pyet për Edon Zhegrovën, i cili nuk u nda mirë me trajnerin e fundit që ishte te Kosova.

"Nuk e shikoj të kaluarën, vetëm të ardhmen. Zhegrova po tregon rezultate shumë të mira, ka cilësi të mira ofenzive dhe do t'ia kalojë mirë me të. Çdo lojtarë që është i gatshëm të japë 100% për Kosovën është i mirëseardhur tek unë."

Një gjë pozitive nga Foda në këtë konferencë për shtyp, ishte ajo se tha që do të jetojë në Kosovë dhe kjo mund të jetë një shtytje për lojtarët e rinj ta tregojnë veten në Superligën e Kosovës.

"Do të jetoj në Kosovë, sepse më duhet t'i shoh lojtarët e Superligës. Por do të jem edhe jasht vendit për të përcjellur lojtarët e tjerë. Kryesisht do të jem në Prishtinë."

Foda u pyet për Elvis Rexhbecajn e Augsburgut që momentalisht është pa kombëtare, për të cilin trajneri tha se e njeh si futbollist dhe do ta donte ta kishte në Kombëtare, teksa ndëryhri edhe Ademi duke thënë se ka lajme pozitive.

"E kam parë duke luajtur. Besoj do ta kontakoj për Kombëtaren e Kosovës dhe jam optimist se do të vijë këtu", ndërsa Ademi tha: "Jemi qe pesë vite duke biseduar me të, tash do të punojmë për t'ia bërë dokumentat gati."

Lajme të ngjashme