Ministri Çeku thotë se 'Fadil Vokrri' pritet të zgjerohet dhe se FFK mund të përfundojë në gjykatë - NACIONALE

Ministri Çeku thotë se 'Fadil Vokrri' pritet të zgjerohet dhe se FFK mund të përfundojë në gjykatë

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Ministri i Sportit Hajrullah Çeku ka njoftuar se ekziston buxheti për financimin e zgjerimit të kapacitetit të Stadiumit Fadil Vokrri dhe ka paralajmëruar se zyra e tij ligjore po punon për ta çuar në gjykatë Federatën e Futbollit për zgjedhjet kontroverse të 6 prillit.

Në një konferencë për shtyp të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka bërë të ditur se në stadiumin Fadil Vokrri do të ketë punime këtë vit, duke bërë të ditur se kanë ndarë buxhetin e nevojshëm.

Ministri Çeku e ka potencuar se prioritet i ministrisë të cilën ai e drejton është puna e stadiumit por që kur ka projekte infrastrukturore, duhet të punohet me shumë kujdes, pasi që duhet të respektohen të gjitha procedurat ligjore.

“Kemi versionin tonë të propozimit për zgjerimin e tribunave në Fadil Vokrri, por para kësaj duhet të jemi të kujdesshëm në procedurat ligjore kur ka të bëjë me projekte infrastrukturore, dhe këto projekte duhet të jenë paraqitura profesionalisht. Diskutimet i kemi nisur me Federatën e Futbollit të Kosovës prej disa kohësh dhe besojë se shumë shpejtë do ta kemi projektin përfundimtar. Buxheti asnjëherë nuk do të jetë pengesë për infrastrukturën sportive dhe këta ua siguroj unë, mbi të gjitha për këtë kemi zotimin e Kryeministrit dhe Ministrit të Financave. Duhet të kujdesimi për procedurat ligjore siç thashë më lartë sepse mundësitë buxhetore janë dhe buxheti ekziston. Zgjerimi i stadiumit është prioritet për mua dhe për ministrinë që drejtoj dhe besoj shumë se gjatë këtij viti do t’i japim drejtim këtij projekti.”

Çeku në konferencë për shtyp, shfaqi shqetësimet e tija për zgjedhjet e 6 prillit në Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Unë e kam bërë të qartë qëndrimin zyrtarë të ministrisë. Kemi ngritur shqetësimet tona për organizimin e këtyre zgjedhjeve. FFK ka vendosur të vazhdojë sipas bindjeve të tyre, pasi që organizatat sportive gëzojnë pavarësinë e tyre, ku ne nuk mund të ndërhyjmë. Kemi përdorur të gjitha mekanizmat administrative e ligjore që na takojnë si ministri në kuadër të ligjit për sportin.”

I pyetur se a do të dërgohet në gjykatë kjo çështje, Çeku ka thënë se do të kërkojnë një interpretim përfundimtar se a ka qenë i rregullt apo jo ky kuvend.

“Tani e tutje i takon gjyqësorit se çfarë do të ndodhë, ne krejt çka mund të bëjmë është që të kërkojmë nga gjykata një interpretim ligjor mbi ligjshmërinë e kuvendit. Së bashku me zyrën tonë ligjore jemi duke u konsultuar që mbase me pretendimet tona që kemi ngritur më përpara ta kërkojmë edhe interpretimin përfundimtar nga gjykata. Nuk kam informatë se deri ku ka arritur vlerësimi në zyrën ligjore por shumë shpejt mund ta verifikojë dhe të kthej përgjigje në lidhje me këtë.”

Lajme të ngjashme