Milan rikthehet te fitorja, mposht Torinon e Vojvodës
Pas më shumë se një muaji Milani i është rikthyer fitores, pasi mposhti 1:0 Torinon në “San Siro”. Mërgim Vojvoda në këtë takim u inkuadrua nga minuta e 58-të.
Pas disa rezultateve zhgënjyese të njëpasnjëshme, Milani gjeti një fitore të çmuar. Skuadra e Stefano Piolit, edhe pse ka shkëlqyer shumë, arriti t’i arkëtojë pikët e plota.
Pjesa e parë ishte shumë apatike, e shterpë dhe pa shumë emocione. Torino qëndroi e rreshtuar mirë në gjysmëfushën e saj, duke mos lejuar shumë hapësira për kampionët në fuqi.
Në pjesën e dytë Milani intensifikoi sulmet e veta. Për Torinon nga minuta e 58-të në fushë u fut edhe mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda. Lëndimi i Buongiornos e përshpejtoi inkuadrimin e përfaqësuesit “dardan”.
Gjithsesi, qasja sulmuese në fillim të pjesës së dytë i dha benefitet e para për “Kuqezinjtë”. Goli i epërsisë erdhi nga i përhershmi, Olivier Giroud.
Sulmuesi francez në minutën e 62-të me një shkëputje magjepse me kokë, nguliti në rrjetë topin e pranuar me harkim nga Hernandez.
😍 That is VINTAGE Olivier Giroud!https://t.co/FGMi1h36I7
— SempreMilan 🏆 (@SempreMilanCom) February 10, 2023
Ky ishte goli i 7-të për të në këtë sezon të sivjetëm në Serie A, ku ka regjistruar edhe 4 asiste të tjera. Ky gol i sotëm ia riktheu atij buzëqeshjen.
Deri në përfundim të ndeshjes skuadra vendëse u tregua e kujdesshme për ta administruar mjaft mirë epërsinë e krijuar. Torino nuk pati asnjë rast shënimi që do ia vlen të cekët pas shënimit të golit nga Giroud, edhe pse qarkulloi më shumë topin.
Kështu, me rezultatin 1:0 Milan u rikthye te fitorja pas 4 janarit, që kishte qenë edhe triumfi i fundit në kampionat. Që atëherë skuadra nga “San Siro” kishte bërë pesë hapa falsë radhazi në kampionat.
Pas kësaj fitore momentalisht Milan u ngjit në pozitën e tretë tabelore me 41 pikë të grumbulluara, kurse Torino mbetet në pozitën e 7-të me 30 pikë.

Përmbledhja e ndeshjes Milan - Torino:
