Agjenti i Giroud: Asnjëherë nuk ka menduar të largohet nga Milani
Olivier Giroud po shfaq besnikëri ndaj Milanit. Ai refuzoi që të transferohej në Everton gjatë afatit kalimtar të janarit. Ndërkohë Milani po përgatitet që t’ia rinovojë kontratën.
Sulmuesi francez, Olivier Giroud, ka qenë prej arkitektëve kryesorë që ia mundësuan Milanit rikthimin në krye të futbollit italian, duke fituar titullin e 19-të gjatë sezonit paraprak.
Everton ishte në gjendje t’ia ofronte 8 milionë euro në sezon gjatë afatit kalimtar dimëror, por Giroud i qëndroi besnik klubit italian. Rreth kësaj çështje foli edhe vetë agjenti i tij.
"Vetëm mund të them që nuk ka pasur asnjëherë dëshirë që ta mendojë largimin nga Milani. Ka një raport të mirë me klubin dhe tifozët. Nuk komentoj ato çfarë shkruhen në Angli. Edhe Milani asnjëherë nuk ka menduar të ndahet nga lojtari që ka treguar që të di të jetë vendimtar", Vincenzo Morabit.

Të dielën luhet derbi i madh lokal mes Interit dhe Milanit. Sipas raportimeve të fundit në mediet italiane, pasi të përfundon ky derbi, Milani do t’ia paraqesë edhe zyrtarisht ofertën e vet për ta rinovuar kontratën e përfaqësuesit francez. Ai pritet të përfitojë rreth 3,5 milionë euro si pagë vjetore.
Në parim ekziston një marrëveshje mes palëve. Javën e ardhshme pritet që gjithçka të konfirmohet, me Giroud që do të vijojë të mbetet pjesë e skuadrës “Kuqezi”.
Gjatë këtij sezoni ai ka shënuar gjashtë (6) gola në tetëmbëdhjetë (18) paraqitje në Serie A. Gjithashtu ai ka kontribuar edhe me katër (4) asiste.
Qëkur u transferua nga Chelsea në Milan në korrik të vitit 2021, ai është bërë një shtyllë e skuadrës së drejtuar nga Stefano Pioli.
