Milan del triumfues në derbin ndaj Juventusit, vazhdon ndjekjen e kreut - NACIONALE

Milan del triumfues në derbin ndaj Juventusit, vazhdon ndjekjen e kreut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Milan ka shënuar një fitore vërtet të madhe kundër Juventusit, të cilin e ka mposhtur në “San Siro” me rezultat 2:0. Me këtë fitore skuadra e Stefano Piolit ka barazuar me pikë Napolin dhe Atalantan që ndajnë kreun e tabelës.

Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, nuk ka të ndalur në kampionat me paraqitje të mira. Në ndeshjen e shumëpritur kundër Juventusit “kuqezinjtë” arsyetuan në përpikëri se përse janë akoma skuadra për t’u mposhtur në Serie A.

Juventusi vinte nga dy ndeshje të fituara radhazi që nuk ndodhte prej shumë kohësh. Ndërkaq Milani kishte një ngarkesë të madhe, për shkak të fondit të cunguar të lojtarëve, për arsye të lëndimeve të shumta.

Për më tepër, skuadra milaneze kishte humbur edhe në Ligën e Kampionëve në mesjavë, duke u mposhtur 3:0 si mysafire në “Stamford Bridge”.

Gjithsesi, vetëm lodhja dhe goditja psiqike nuk është se u vurën re te Milani. Entuziazmi, volumi i lojës dhe dëshira për ta fituar këtë ndeshje ishte pakrahasimisht më e madhe nga ekipi i Piolit.

Raporti i ndeshjes Milan 2:0 Juventus

Njëzet minuat e para të ndeshjes ishin të ekuilibruara, me dy skuadrat që lojën e fokusuan më shumë në qendër të fushës.

Rastin e parë më të mirë në ndeshje e pati Leao. Sulmuesi këmbëshpejt pranoi një top të mirë nga ekzekutimi i këndores. Ai goditi menjëherë, por topi u ndal në shtyllë.

Sërish ishte i njëjti protagonist që kërcënoi portën e “bardhëzinjve”. Zhvillohej minuta e 34-të kur sulmuesi portugez tentoi të godiste nga distanca, por Szczesny ia doli ta neutralizonte.

Ndërkohë, Juventusi me anë të kundërsulmeve provonte që të zinte në befasi Milanin, por pa pasur ndonjë rast që ia vlen të përmendet.

Rezultati u zhbllokua tek në minutën e 45+1’. Pas një këndore në favor të Milanit, Giroud devijoi topin me kokë dhe ai përfundoi në këmbët e Tomorit. Ish-mbrojtësi i Chelseat nga afërsia nuk gaboi, duke shtyrë topin në rrjetë.

Milani nuk u zmbraps edhe në pjesën e dytë, duke u munduar të ishte më mbizotërues në lojë. Kështu, erdhi radha e një goli thjesht të mahnitshëm.

Në minutën e 54-të fantazisti i Milanit, Brahim Diaz, depërtoi në mesin e mbrojtjes torineze, duke bërë që ta zhagiste edhe Bremerin, si përforcimin më të zhurmshëm të afatit kalimtar veror të skuadrës së Allegrit.

Pastaj, me t’iu afruar portës, ai nuk gaboi dhe mposhtu portierin, për ta shënuar golin e dytë në ndeshje për ekipin e tij dhe ndoshta më të mirin në aspektin personal gjatë karrierës së vet.

Deri në fund të takimit Juventusi ishte i pafuqishëm që t’i shkakonte ndonjë telashe Milanit. Vendësit ia dolën mjaft mirë që ta ruanin epërsinë e krijuar.

Me këtë fitore Milani shkon në kuotën e 20 pikëve, duke barazuar me pikë dy skuadrat që ndajnë kreun e tabelës: Napolin dhe Atalantan.

Gjithsesi, këto dy të fundit do t’i luajnë ndeshjet respektive gjatë ditës së nesërme. Në anën tjetër, Juventus stagnon me 13 pikë dhe momentalisht zë vendin e 8-t në tabelë.

Lajme të ngjashme