Messi e Mbappe në listën e ngushtë për lojtarin më të mirë të vitit, Ronaldo lihet jashtë
Dy finalistët e Kupës së Botës në Katar 2022, Lionel Messi dhe Kylian Mbappe janë në listën e ngushtë të FIFA-s për lojtarin më të mirë për vitin 2022, por për Cristiano Ronaldon nuk kishte vend.
Nënshkrimi i fundit i skuadrës së Arabisë Saudite, Al Nassr, nuk u përfshi në listën e FIFA-s prej 14 lojtarësh që janë në garë për çmimin, i cili jepet për lojtarin që u paraqit më së miri gjatë vitit kalendarik që lamë pas.
Viti 2022 ishte një nga më të suksesshmet sa i përket futbollit në nivel klubesh e kombëtaresh. Duke filluar nga titulli i 10-të radhazi i Bayern Munichut në Bundesligë, fillimi mbresëlënës i Erling Haaland në Premierligë, triumfi i parë i Senegalit në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe një gjysmëfinale e parë në histori për një kombëtare afrikane në Botëror, Maroku.
Një vit shumë i frytshëm në futboll u mbyll me triumfin e Lionel Messit, i cili më në fund arriti ta fitonte Kupën e Botës, që ishte trofeu i vetëm që i mungonte në sirtarin e tij, por a do të jetë kjo e mjaftueshme për ta fituar çmimin për lojtarin më të mirë të vitit nga FIFA?

Cilët janë 14 lojtarët e nominuar?
Përveç Messit e Mbappes, në listën e ngushtë është edhe fituesi i Topit të Artë, Karim Benzema, ndërsa nuk mungojnë as të rinjtë si, Jude Bellingham e Achraf Hakimi.
Ronaldo nuk tregoi pothuajse asgjë gjatë vitit 2022, prandaj me meritë nuk është përfshirë në listë, ndërsa çudia më e madhe është Julian Alvarez i Manchester Cityt, që u bashkua me kampionët anglez në gjysmën e vitit 2022, por paraqitjet e tij në Kupën e Botës, ndoshta kanë bërë që ai ta ketë emrin e tij në listë.
Lista e plotë me 14 lojtarët e nominuar:

Si vendoset dhe kur shpallet fituesi?
Lista përfundimtare e lojtarëve zgjidhet nga FIFA bazuar në paraqitjen sportive - si në nivel ekipor ashtu edhe në nivel individual - si dhe sjelljen e përgjithshme brenda dhe jashtë fushës.
Nga këta të nominuar, votat vendosen më pas nga përfaqësuesit e mediave, trajnerët e ekipeve kombëtare, kapitenët e ekipeve kombëtare dhe, që nga tetori i vitit 2016 edhe nga publiku i gjerë.
Secili grup merr 25% të votave, përpara se të shpallet fituesi nga votat e hedhura nga këto katër seksione.
Mbrëmja ku ndahen çmimet nga FIFA për çdo kategori, do të mbahet më 27 shkurt të këtij viti.
