“Merrnim substanca si karamele”: Pas vdekjes së Viallit ish-yjet e Serie A i frikësohen diagnostikimit me kancer - NACIONALE

“Merrnim substanca si karamele”: Pas vdekjes së Viallit ish-yjet e Serie A i frikësohen diagnostikimit me kancer

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vdekja e legjendës së futbollit Gianluca Viallit shokoi të gjithë në Itali. Ai vdiq pas diagnostikimit me kancer në pankreas. Tani shumë ish-yje të Serie A pranojnë se kanë marrë substanca dopingu atëbotë dhe i frikësohen të njëjtit fat.

Vialli vdiq në moshë 58-vjeçare më 6 janar të këtij viti, por vdekja e tij është shndërruar në një temë diskutimi në Itali. Fatin e Viallit druhen se mund ta kenë edhe të tjerët. Sipas disa prej ish-lojtarëve të Serie A, duhet të hetohet më shumë rreth substancave të dëmshme për shëndetin që janë marrë dikur kur ata luanin si futbollistë aktivë.

Dino Baggio, ish-përfaqësuesi italian, ishte ai që i pari ngriti zërin rreth kësaj çështje, e që nxiti një debat të madh. Mirëpo, gjatë ditëve tèëfundit ka folur edhe ish-ylli i Parmas, Di Chiara.

“Duhet të hetohet për substancat që kemi marrë në atë periudhë kohore. Dopingu ka ekzistuar gjithmonë. Personalisht kam filluar të luaj më 1980 dhe kam mbaruar më 1997. Kishte produkte që nuk kishin të bënin me doping – siç na thuhej. Dhe, ne nuk mund t’ua bënim analizat atyre. Kishte pije të çuditshme, me ngjyra të çuditshme”, tha ai.

Frikë të njëjtë shfaq edhe ish-futbollisti i Torinos dhe Barit, Massimo Brambati, që tani është menaxher sportiv. Mbrojtësi thotë se disa substanca që sot janë të ndaluara dikur i merrnin si karamele.

“Edhe unë kam frikë. Para njëzet vjetëve e thoja edhe unë, por më vinte një letër nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC), e që kërcënohesha. Unë, në njërin prej klubeve që nuk dua t’ia përmend emrin, merrja para fillimit të ndeshjes Micoren sikur të ishin karamele. Atëbotë nuk ishte substancë e ndaluar. Pas disa vjetësh u bë me ligj e ndaluar”, tha ai.

Gjatë ditëve në vijim mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë deklaratë tjetër që do të bëhet, për ta inkurajuar kështu transparencën rreth një çështje që po fillon t’i frikësojë ish-futbollistët italianë.

Lajme të ngjashme