Mërgim Pefqeli zbulon arsyet e largimit nga Malisheva dhe se si Munishi e bindi të rikthehet në Prishtinë - NACIONALE

Mërgim Pefqeli zbulon arsyet e largimit nga Malisheva dhe se si Munishi e bindi të rikthehet në Prishtinë

4 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Mesfushori Mërgim Pefqeli ka konfirmuar për gazetën Nacionale rikthimin te Prishtina, derisa shpjegoi se u largua nga Malisheva shkaku i udhëtimi të largët dhe çështjeve financiare.

Pas një viti të jashtëzakonshëm, Pefqeli ishte ndër lojtarët kyç te Malisheva, derisa dy golat e tij në play-off kundër Vushtrrisë, i siguroi skuadrës së Arsim Thaqit qëndrimin në Superligën e Kosovës.

Në një intervistë për Nacionalen, 28-vjeçari e vlerësoi si sukses edicionin te Malisheva, pasi që siguruan qëndrimin në elitë edhe për një tjetër sezon.

“Po është e vërtet që ishte një sezon shumë i mirë për mua. Së pari ishte shëndeti dhe se dyti besimi që pati trajneri (Arsim Thaqi) në mua. Në përgjithësi ishte një sukses për neve si një ekip nga liga e parë dhe një grup i të rinjve të mbesim në Superligë. Golat e mi në përgjithësi nuk janë sukses vetëm i imi, por i gjithë grupit gjithashtu edhe i trajnerit që bënte ushtrimet dhe taktikat e lojës”.

Tutje, Pefqeli konfirmoi se u largua nga Malisheva shkaku i anës financiare, ndërsa ishte ‘lodhur’ edhe nga rrugëtimi.

“Po është e vërtet që kam konfirmuar largimin nga FC Malisheva. Arsyeja ishte rrugëtimi për çdo ditë dhe normalisht ana financiare”.

“E falënderoj FC Malishevën tifozërinë e flaktë dhe kryesinë e klubit që na qëndruan pranë në çdo moment. Iu dëshiroj shumë suksese në vazhdim dhe ndihem i nderuar që kam pasur mundësinë të vesh atë fanellë”, shtoi Pefqeli.

Mesfushori gjithashtu për herë të parë konfirmoi rikthimin te FC Prishtina, duke shpjeguar se ishte trajneri Ismet Munishi që e bindi të luajë sërish në fanellën “bardhëkaltër”.

“Po, kam arritur akord me FC Prishtinën dhe aty do të vazhdoj të jap kontributin tim. Prishtina ishte dhe do të jetë në zemrën time dhe çdo herë që të nevojitet ndihma ime do jem aty”.

“Me krenari të madhe mund të konfirmoi që trajneri Ismet Munishi ishte kryesori për rikthimin tim në vendlindje në ekipin e zemrës, ku u rrita edhe si lojtar”.

Në fund, Pefqeli bëri me dije se ka për synim ta rikthejë “Prishtinën aty ku e ka vendin”.

“Synimet e mia janë që ta kthejmë Prishtinën aty ku e ka vendin, pra aty ku e lashë në pozitën e parë në tabelë, domethënë kampion”, nënvizoi ai për Nacionalen.

Gjatë edicionit të kaluar, Pefqeli zhvilloi 30 ndeshje në fanellën e Malishevës në të gjitha garat, duke regjistruar katër gola dhe dy asistime.

Rikthimi në kryeqytet për mesfushorin nuk do të jetë aq i vështirë, ngase ai e njeh klubin shumë mirë pasi ishte pjesë e tyre për plot gjashtë vite.

Lajme të ngjashme