Mendurim Hoti s’po i përgjigjet Prishtinës për t’u njoftuar se është përjashtuar pasi u përfshi në një përleshje - NACIONALE

Mendurim Hoti s’po i përgjigjet Prishtinës për t’u njoftuar se është përjashtuar pasi u përfshi në një përleshje

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Mendurim Hoti nuk është duke ia hapur telefonin klubit të vet Prishtina për t’u njoftuar se është përjashtuar nga klubi një ditë pasi u përfshi në përleshje, ka thënë drejtori i klubit bardhekaltër, Artan Osmani, për gazetën Nacionale.

Futbollisti i Prishtinës ishte arsyeja që nisi problemi, duke goditur me kokë kundërshtarin e pastaj që eskaloi situata me plot persona që hynë në fushë.

Shkak i këtij sherri edhe transmetimi i finales është ndërprerë dhe faqja e fshiu plotësisht.

Osmani për Nacionalen konfirmoi se është marrë vendimi për përjashtimin e tij nga klubi.

“Kemi tentuar ta thërrasim disa herë që nga rasti, por nuk është lajmëruar në telefon.

Mendurimi është i suspenduar për një rast më herët, por që mund ta konfirmoj se tashmë ai është i larguar nga skuadra.

Suspendimi i tij ka të bëjë me një rast më herët për të cilin nuk mund të flas sepse është duke u hetuar nga policia, ndërsa për incidentin e djeshëm ende nuk ia kemi dhënë vendimin.

Që nga incidenti i djeshëm në futboll të vogël e kemi telefonuar disa herë që të paraqitet në zyre dhe t’ia komunikojmë lajmin për largimin e tij, por ai nuk e hap telefonin.”

Hoti iu bashkua Prishtinë një vit më parë nga Feronikeli për t’iu ndihmuar kryeqytetaseve në garat evropiane por që dështoi të paraqitej në nivelin që ishte pritur nga ai.

Përgjatë një viti qëndrim te Prishtina, Hoti u paraqit në 34 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar pesë gola dhe asistuar në katër raste.

26-vjeçari, shihej si një nga talentet më të mirë në futbollin kosovar, dhe fillimisht ra në sy me paraqitjet me Kombëtaren e Kosovës U21.

Mendurim Hoti karrierën si profesionist e filloi në skuadrën e kryeqytetit 2 Korriku, ku ra në sy të skuadrës së Superiores, Teuta e Durrësit por që asnjëherë nuk arriti ta bind skuadrën duke pasur vetëm një paraqitje.

Pas eksperiencës së dështuar në Shqipëri u kthye te skuadra e Feronikelit, ku qëndroi për plotë gjashtë vite e duke pasur vitet më të mira të karrierës së tij.

Lajme të ngjashme