Megjithëse kapiten, Maguire s’e ka vendin e sigurt në skuadër – thotë Ten Hag
Erik ten Hag ia ka kujtuar Harry Maguires se pozita e tij si kapiten i Manchester Unitedit nuk nënkupton se ai e ka një vend të sigurt në skuadër.
Maguire u riemërua kapiten nga trajneri i ri Ten Hag në verë por, pasi ishte titullar në dy ndeshjet e para të sezonit, ai u la në stol në fitoren 2:1 kundër Liverpoolit të hënën.
Ten Hag thotë se Maguire do të vazhdojë të jetë kapiten i klubit por, duke folur të premten në një konferencë për media, ai nuk i ofroi asnjë garanci mbrojtësit anglez për një vend si titullar i padiskutueshëm.
“Mendoj se nuk do të thotë se duhet të luash gjithmonë vetëm pse je kapiten, posacërisht kur e ke edhe Raphael Varane në skuadër”, tha Ten Hag.

Varane u lartësuar për paraqitjen e tij brilante përkrah Lisandro Martinezit në mbrojtje kundër Liverpoolit, por Ten Hag ishte i mahnitur edhe nga paraqitja e Bruno Fernandesit, i cili mbajti shiritin e kapitenit në mungesë të Maguires.
“Ne kemi një grup liderësh dhe Harry është ndër ta. Bruno është njëri ndër ta. Bruno ishte shumë i mirë si kapiten. Ai ishte shembullor dhe i ofroi shumë energji skuadrës me dhe pa top”, shtoi ai.
Maguire ka qenë titullar i rregullt në United që prej kur iu bashkua klubit për mbi 90 milionë euro nga Leicester City në vitin 2019.
Por ardhja e Varane nga Real Madridi verën e kaluar dhe blerja e Martinezit nga Ten Hag këtë verë nënkuptojnë se vendi i Maguire në ekipin e parë nuk është më i sigurt.
Unitedi përballet sot me Southamptonin në udhëtim, në ndeshjen e katërt të sezonit dhe do të kërkojë fitoren e dytë radhazi pasi i humbi të dy ndeshjet e para.

