Megjithëse fitoi, Batatina mbetet i “pakënaqur”: U desh të fitonim të paktën 3:0
Tahir Batatina ka ende kërkesa më të mëdha për lojtarët e tij, edhe pse ata korrën fitoren e dytë radhazi brenda një jave. Kësaj here llapjanët shënuan fitore si mysafirë 1:0 kundër Drenicës, por trajneri Batatina mendon se fitorja do duhej të ishte më e thellë.
Pas një mori ndryshimesh që ka bërë në organikën e vet, Llapi e ka nisur mirë sezonin pranveror, duke gjetur dy fitore të rëndësishme. Pasi mposhti 3:2 në udhëtim Lirinë duke siguruar kalimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës, tani Llapi siguroi një tjetër fitore, vetëm se në këtë rast në kampionat, pasi mposhti minimalisht Drenicën me rezultat 1:0.
Në fund të ndeshjes Batatina tha se fitorja do duhej të ishte më bindëse marrë parasysh rastet e mira për gol që i ka pasur skuadra e tij.
"Ka qenë një ndeshje e mirë. Po të ishim më të kujdesshëm u desh që rezultati të ishte të paktën 3-0. Kemi një skuadër gradualisht duke u forcuar. Vetëm detajet e vogla mund të na mposhtin. Gjithsesi, mendoj që pjesa e parë u desh të kryhej 2:0. Në pjesë të dytë Drenica na sulmoi me të gjitha forcat”, tha ai.
Batatina tha se do t’i marrin ndeshjet me radhë, duke u munduar që ta bëjnë më të mirën. Njashtu, ai tha se projekti që ka ndërtuar është trivjeçar.
“Do të shkojmë nga ndeshja në ndeshje. Ne na nevojitet një qetësi pak më e madhe para portës dhe situata do të ishte paksa më ndryshe. Mendoj që në vitet e fundit kemi krijuar një skuadër për projekt trivjeçar”, përfundoi ai
Golin e vetëm të fitores për Llapin e shënoi Rivera. Mesfushori meksikan nga pika e bardhë mposhti portierin Gjokaj në minutën e 13-të.
