Ballkani dhe Llapi shënojnë fitore në udhëtim, Gjilan dhe Ferizaj ndajnë pikët
Sot, janë zhvilluar tre ndeshje në Superligën e Kosovës. Ballkani mposhti në udhëtim Malishevën 4:2, Llapi mposhti në Lipjan 1:0 Drenicën, kurse Gjilan dhe Ferizaj u ndanë baras pa gola.
Kampionët në fuqi e kanë nisur me fitore pjesën pranverore të Superligës së Kosovës. Ballkani për herë të tretë në këtë sezon mposhtën Malishevën.
Debutimi në stolin e skuadrës malishevase nuk ishte shumë i mirë për trajnerin e mirënjohur Bylbyl Sokoli. Albion Rrahmani, ish-sulmuesi i Malishevës, ishte në element të mirë për lojë dhe bëri dallimin në këtë sfidë.
Ai shënoi në minutën e 28-të dhe 43-të, kurse në minutën e 35-të Pira shënoi autogol. Golin e fundit dhe të katërt për Ballkanin e shënoi Tusha në minutën e 82-të. Për Malishevën golat e vetëm i shënuan Mustafa në minutën e 69-të nga pika e bardhë, respektivisht Hazrollaj shënoi në minutën e 82-të Me rezultatin 4:2 përfundoi ky takim.
Në ndeshjen tjetër mes Drenicës dhe Llapit, mysafirët u treguan mjaft pragmatikë. Falë një goli të shpejtë që gjetën në minutën e 13-të përmes Riveras, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë – llapjanët ia dolën që ta administronin mjaft mirë epërsinë e krijuar.
Madje, me raste patën mundësi të mira edhe për ta dyfishuar epërsinë, por përfaqësuesi i Kosovës, Altin Gjokaj, ishte në disponim të mirë për të bërë pritje fantastike.
Drenica nuk tregoi shumë në fazë sulmuese, me ç’rast edhe regjistroi humbjen e radhës në kampionat, që ia ndërlikon jo pak punët në renditje tabelore. Ndërkaq Llapi me këtë fitore shënoi triumfin e dytë radhazi brenda një jave.
Në sfidën tjetër dhe të fundit që u luajt për sot, atë mes Gjilanit dhe Ferizajt, ndeshja ishte tej mase e baraspeshuar. U karakterizua edhe me ndërhyrje të ashpra. Bardhi dhe Musolli në pjesën e dytë u ndëshkuan me të kuq, duke mbetur të dy ekipet me një lojtar më pak në fushë.
Deri në fund të ndeshjes, edhe pse pati orvatje nga të dy anët për ta zhbllokuar rezultatin, portat mbetën të paprekura, me epilogun përfundimtar 0:0.
Pas këtyre ndeshjeve Ballkani rimerr përkohësisht pozitën e parë tabelore me 41 pikë. Në përgjithësi të gjitha zonat tabelore janë të hapura, edhe pse Ferizaj mbetet skuadra që ndodhet më së shumti në vështirësi.

