Më në fund, Qeveria e Kosovës ndan 3,2 milionë euro për rinovimin e Stadiumit Olimpik Adem Jashari
Stadiumi Olimpik Adem Jashari ka një kohë të gjatë që po qëndron si të ishte një gërmadhë, pasi deri më tani investimet e premtuara kanë munguar, por sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, këta të fundit kanë ndarë 3,2 milionë euro për rinovimin e stadiumit.
Ky Stadium është historik për Kombëtaren e Kosovës, pasi aty ishte zhvilluar ndeshja e parë ndërkombëtare e njohur nga FIFA, por tani e mbi dy vjet vendi aty pari më së paku na tregon se si duhet të duket një stadium normal olimpik.
Gazeta Nacionale kishte raportuar për gjendjen e rënduar të stadiumit mbi shtatë muaj më parë, me qëndrimet e Ministrive përkatëse për këtë çështje.
Stadiumi me vendndodhje në Mitrovicë ishte rinovuar një herë më parë, por që nuk kishte përmbushur kriteret e UEFA-s, me ç ’rast një projekt i ri u prezantua mbi tri vite më parë me një kosto prej 12 milionë euro që ishte i paraparë të përfundonte në vitin 2023, por krejt çfarë ndodhi, Stadiumi Olimpik sot e asaj dite është si një punishte, madje mjaft e rrezikshme për njerëzit përreth.

I tërë problemi se pse punimet nuk kanë vazhduar deri më sot qëndron te Leja Ndërtimore, për të cilën shtatë muaj më parë MMPHI i tha Nacionales se një gjë e tillë nuk është kërkuar ende as nga MKRS apo ndonjë subjekt tjetër.

Por tani duket se ky problem do t’i takojë të shkuarës, pasi në mbledhjen e sotshme të Qeverisë, Zëvendësministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, tregoi se kanë pranuar kërkesa nga MKRS për rinovimin e stadiumit olimpik, në mënyrë që të kalohet nga kategoria 2 në 4 sipas rregullave të UEFA-s.
“Departamenti i shpronësimit, më datën 21.06.2023, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pranuar shkresën numër 3374/23, kërkesë për shpronësim, stadiumi olimpik “Adem Jashari” Mitrovicë ku është kërkuar shpronësimi i pronave sipas tabelës së bashkangjitur në vendimin aktual. Bazuar në projektin për përmirësimin e infrastrukturës sportive që nga kategoria 2, të ngrihet në kategorinë 4 sipas rregullores së UEFA-s, me qëllim të plotësimit të kushteve dhe kritereve për zhvillimin e lojërave në përputhshmëri me rregulloret dhe ne veçanti me kornizës ligjore të UEFA-s dhe FIFA-s”, tha Zëvendësministri.

Ky vendim mori edhe miratimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me ministrin Hekuran Murati që tha se buxheti prej 3,2 milionë euro do të hap rrugët për punimet në stadium.

