MKRS-ja ende s’ka bërë kërkesë për leje ndërtimore në Stadiumin “Adem Jashari”, që ka mbetur gërmadhë - NACIONALE

MKRS-ja ende s’ka bërë kërkesë për leje ndërtimore në Stadiumin “Adem Jashari”, që ka mbetur gërmadhë

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit (MRKS) ende nuk ka bërë kërkesë për leje ndërtimore në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, megjithëse ka kohë që e ka marrë pëlqimin mjedisor nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për fillimin e punimeve në këtë stadium.

Stadiumi olimpik, ku Kosova e luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare të njohur nga FIFA, ka dy vite që ka mbetur vetëm një gërmadhë.

Një projekt me kosto 12 milionë eurosh i nisur në vitin 2019 dhe i paraparë të përfundonte në vitin 2023, jo vetëm që nuk do të përmbush afatin e caktuar të rindërtimit por e ka bërë stadiumin e vetëm olimpik në vend të duket si një punishte e rrezikshme për njerëz përreth.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka konfirmuar se ende nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për kushte ndërtimore as nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e as nga ndonjë subjekt tjetër, ndonëse pëlqimi mjedisor është dhënë tashmë.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka shqyrtuar kërkesën, Raportin e VNM-së, dokumentacionin e dorëzuar të Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për Rinovimin e stadiumit të qytetit në Mitrovicë, në pjesën e ngastrave kadastrale."

“Në përputhje me Ligjin... është mbajtur debati publik, dhe me ketë rast, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i jep Pëlqim Mjedisor, për Renovimin e stadiumit të qytetit në Mitrovicë”, tha Ministria e Mjedisit për Nacionale.

Në anën tjetër Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport i tha Nacionales se ky stadium është prioritet i ministrisë dhe se po punojnë me intensitet të shtuar që të zgjidhin problemet e kamotshme me këtë projekt, për të cilin ende nuk kanë aplikuar për leje ndërtimore.

“Stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë mbetet ndër prioritetet e MKRS-së dhe po punojmë me intensitet të shtuar që të zgjidhim problemet e kamotshme në këtë projekt, për të cilin nuk kishte leje ndërtimore. Ministri Çeku, stadiumin e ka trajtuar si temë edhe me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza. Me zgjidhjen e lejes ndërtimore për projektin në fjalë, do të vazhdohet menjëherë me punime, për të rinovuar stadiumin sipas standardeve që kërkohen nga UEFA dhe FIFA. Në kornizën afatmesme të shpenzimeve, për projektin e stadiumit janë paraparë mbi 2.2 milionë euro”, tha MRKS-ja.

Por vetëm pëlqimi mjedisor nuk mjafton për nisjen e punimeve në këtë stadium, të cilat do të duhej të ishin buzë përfundimit tani.

“Përderisa Departamenti I Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit DPHNB - Divizioni I Planifikimit Hapësinor DPH dhe DN ka zhvilluar disa takime konsultative por nuk ka pranuar asnjë kërkesë paraprake për Kushte Ndërtimore përkatësisht për Leje Ndërtimore (nga ndonjë subjekt apo nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport) për projektin “Stadiumi Adem Jashari-Mitrovicë”, konfirmoi MMPHI-ja.

Pëlqimi mjedisor i dhënë nga MMPHI-ja është kusht paraprak për marrjen e lejes ndërtimore, për të cilën MRKS-ja nuk ka aplikuar dhe kjo nënkupton se punimet për rinovimin e stadiumit olimpik zor se mund të fillojnë këtë vit.

Stadiumi Olimpik "Adem Jashari" ishte rinovuar një herë, por që nuk kishte përmbushur kriteret e shtëpisë së futbollit, UEFA, me ç ‘rast projekti i ri u prezantua tri vite më parë në mënyrë që ky stadium, krahas atij të kryeqytetit "Fadil Vokrri" të merrte miratimin për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Kur kanë mbetur pak më shumë se 12 muaj deri në përfundimin e punimeve të parapara, pamjet të siguruara nga Nacionale, tregojnë për gjendjen e mjerueshme që ka kapluar shtëpinë e dikurshme të Kombëtares së Kosovës tashmë e dy muaj.

Lajme të ngjashme