Me largimin e Ibrakoviq, ja kush do ta drejtojë Prishtinën në derbin ndaj Dritës
FC Prishtina që disa ditë është pa trajnerin boshnjak Abdulah Ibrakoviq, i cili ka lënë skuadrën për të shkuar jashtë shtetit për “arsye personale”.
Ibrakoviq mori drejtimin e kampionit të Kosovës në nëntorin e kaluar, pasi këta të fundit ndërprenë bashkëpunimin me trajnerin maqedonas Zekerija Ramadani, shkaku i rezultateve jo të mira për këtë edicion.
Me ardhjen e teknikut boshnjak, tek Prishtina kishte pak shpresë që në 100-vjetorin e klubit të riktheheshin në garë për daljen në Evropë, gjë që nuk u arrit edhe pse matematikisht janë ende në garë, mirëpo para disa ditëve iu mohua licenca nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Ditën e martë, mediat lokale raportuan se Ibrakoviq është larguar nga Prishtina dhe kjo është plotësisht e vërtetë me drejtorin e klubit, Artan Osmani që për Gazetën Nacionale deklaroi se ky i fundit “ka ikur për arsye personale dhe në dy javët e ardhshme do vendoset përfundimisht”.
“Po, Ibrakoviq ka ikur për disa arsye personale. Brenda dy javëve të ardhshme do vendoset përfundimisht lidhur me të”, tha shkurtimisht ai.
Kështu, Prishtina mbetet pa trajner për dy xhirot e mbetura, ku në vikend i pret sfida e vështirë në shtëpi ndaj Dritës.

Në rast që tekniku boshnjak nuk rikthehet para ditës së diele, atëherë personi që do drejtojë Prishtinën do jetë asistenti Debatik Curri.
“Në rast që Ibrakoviq nuk rikthehet deri në vikend, Debatik Curri do drejtojë klubin kundër Dritës”, shtoi Osmani.
Statistikat e Ibrakoviq në krye të Prishtinës
Abdulah Ibrakoviq mori drejtimin e Prishtinës në muajin nëntor, ku qëndroi në krye duke pasur rezultate jo shumë të mira në këta muaj.
Në 19 ndeshje në krye të “Bardhëkaltërve”, Ibrakoviq regjistroi vetëm tetë fitore, duke barazuar katër herë dhe pësuar në shtatë humbje.
Ibrakoviq drejtoi Prishtinën në 16 ndeshje, duke fituar vetëm 22 pikë nga 48 të mundshme.
Dy xhirot e fundit vendimtare për Prishtinën, ende në garë për mbijetesë
Pavarësisht që renditen në pozitën e pestë në Superligën e Kosovës, FC Prishtina ende nuk ka siguruar mbijetesën, gjë që është ndoshta e pabesueshme të besohet nëse je një person që nuk e ndjek kampionatin kosovar.
Prishtina zë pozitën e pestë në tabelë me 48 pikë të tubuara, duke pasur vetëm katër më shumë se Drenica që qëndron në pozitën e tetë.
Qëndrimi në Superligë nuk do jetë aspak e lehtë për skuadrën nga kryeqyteti që shumë shpejtë do bëhet me drejtues të ri (kështu merr vesh Gazeta Nacionale) pasi përpos Dritës, do kenë punë edhe me Llapin, te cilët do t'i vizitojnë në "Zahir Pajaziti".