Mane zyrtarisht jashtë Botërorit - NACIONALE

Mane zyrtarisht jashtë Botërorit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së madhe, Sadio Mane nuk do të mund të jetë pjesë e Botërorit. Tashmë është zyrtare.

Lajmi i fundit është se ylli i Bayernit, Sadio Mane, do t’i mungojë Kombëtares së Senegalit në Botërorin e Katarit 2022.

Ai u lëndua në sfidën kundër Werder Bremenit në më pak se dy javë para se të fillonte Botërori. Fillimisht u grumbullua nga përzgjedhësi i kombëtares senegaleze, por edhe pse u bënë të gjitha përpjekjet për ta rikuperuar në kohë rekord, ai nuk ia doli.

Vetë zyrtarët e kombëtares e konfirmuan mungesën e Manes gjatë një konference për shtyp që zhvilluan. Mbase kjo nuk do të jetë mungesa më e madhe në Botëror vetëm për Senegalin, por edhe për tërë futbolldashësit

Senegali pa një lider të vërtetë

Sadio Mane ka qenë një lojtar i dalluar për Senegalin ndër vite. Ai debutoi në vitin 2012 me ekipin kombëtar në miqësoren kundër Marokut, duke lënë gjurmën e parë pasi kishte bërë asistin për golin vendimtar 1:0.

Që atëherë ai gradualisht është rritur si lojtar, duke marrë edhe përgjegjësi të mëdha në ekip, deri në përmasat e liderit.

Shpërthimi i tij te Liverpooli në periudhën kohore 2016-2022 ka ndikuar që ai të jetë një lojtar që bën dallimin edhe te Senegali.

Kështu, ai fitoi edhe Kupën e Afrikës me kombëtaren e tij në vitin 2021. Për fanellën e kombëtares afrikane ka shënuar 34 gola në 92 paraqitje.

Ai e fitoi edhe çmimin e lojtarit më të mirë afrikan për herë të dytë radhazi. Mane e shënoi penalltinë e triumfit të Senegalit kundër Egjiptit në finale të Kupës së Kombeve të Afrikës këtë vit, duke i ndihmuar atdheut të vet ta fitojë këtë trofe për herë të parë.

Ky çmim u nda për herë të parë pas tri viteve pezullimi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Jam shumë, shumë i lumtur që e fitova këtë trofe këtë vit”, tha Mane gjatë pranimit të çmimit, që nga ky sezon do të luajë për Bayern Munich.

Mane e mposhti bashkatdhetarin e vet, portierin e Chelseat Edouard Mendy, si dhe ish-bashkëlojtarin e vet te Liverpooli, Mohamed Salah, për ta fituar çmimin e lojtarit më të mirë afrikan.

“E falënderoj popullin senegalez dhe këtë trofe ia kushtoj të rinjve në vendin tim”, tha Mane, i cili i ndihmoi Senegalit të shkojë edhe në Kupën e Botës 2022 dhe Liverpoolit t’i fitojë dy trofe në Angli.

Kjo ceremoni u mbizotërua nga Senegali, pjesëtarët e të cilit fituan në pesë prej shtatë kategorive për ta bërë këtë një natë të paharrueshme për kombin e Afrikës Perëndimore.

Trajneri i Senegalit Aliou Cisse e fitoi çmimin për trajnerin më të mirë të vitit, ndërsa Senegali u zgjodh ekipi i vitit.

Pep Sarr, po ashtu i Senegalit, u zgjodh lojtar i ri i vitit, ndërsa një senegalez tjetër, Pape Ousmane Sakho, e fitoi çmimin për golin më të mirë të vitit.

“Ne kemi pritur një kohë shumë të gjatë për këtë Kupë të Kombeve. Ne jemi shembull i mirë për të gjitha ato ekipe që ende nuk e kanë fituar (këtë turne)”, tha presidenti i Federatës së Futbollit të Senegalit, Augustin Senghor.

Lajme të ngjashme