Mancini: Për ne do të jetë një muaj i vështirë, Botërori pa Italinë është ndryshe - NACIONALE

Mancini: Për ne do të jetë një muaj i vështirë, Botërori pa Italinë është ndryshe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Roberto Mancini ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes miqësore që Italia do ta zhvillojë nesër në “Air Albania” kundër Shqipërisë. Megjithatë, mërzia që nuk janë pjesë e Botërorit, Mancini tha se është e pranishme.

Dy Botërore radhazi pa Italinë. Paradoks në vete. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Italia dështoi si me Venturan në barazh në vitin 2018, ashtu edhe me Mancinin në 2022.

Mancini nuk e fshehu fare të gjithë mërzinë e tij. Për të nëntori nuk do të jetë i lehtë, ashtu sikur për të gjithë italianët, që do të jenë të kushtëzuar ta shohin ngjarjen më të madhe futbollistike nga ekrani televiziv, pa mundur që vetë të jenë aty si protagonistë.

“Për ne italianët ky do të jetë një muaj i vështirë. Dhe, për më tepër, vetëm sa ka filluar (muaji). Që prej marsit po e përjetoj goxha keq mungesën e kualifikimit në Botëror. E meritonim që të kualifikoheshim, por i shpërdoruam rastet që i kishim në gatishmëri”, tha ai.

Për Mancinin ky është futbolli: “Futbolli është edhe ky. Pas një gëzimi të madh erdhi një zhgënjim po aq i madh dhe tani nuk kemi se çfarë të bëjmë. Një Botëror pa Italinë është ndryshe. Duhet të punojmë në mënyrën e duhur për t’u siguruar që një gjë e tillë të mos përsëritet më.”

Përgatitjet për miqësoren ndaj Shqipërisë

Natyrisht se përzgjedhësi Mancini u ndal edhe te ndeshja e nesërme, ajo miqësore kundër Shqipërisë në Tiranë, duke komentuar në lidhje me pritjet që ka ai vetë.

“Sa i përket moduleve nuk e di se cili është më i miri. Ne në dy ndeshjet kemi ndryshuar disa sosh për të kuptuar nëse do të jepnin ndonjë përparësi. Lojtarët tanë mund të luajnë me shumë module. Mendoj që djemtë janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kombëtarja”, shtoi ai.

Për Shqipërinë pati fjalë të mira, duke thënë se e njeh deri në një masë të caktuar: “E njoh goxha Shqipërinë. Disa lojtarë luajnë në Itali. Hera e fundit që kam ardhur këtu luaja me U21.”

Për Mancinin të gjithë lojtarët shqiptarë që luajnë në Shqipëri kanë cilësi domethënëse, sepse ndryshe nuk do të ishin pjesë e kampionatit në fjalë.

“Të gjithë janë lojtarë të mirë, në të kundërte nuk do të luanin në Serie A. Të gjithë janë solidë”
, theksoi ai.

Përzgjedhësi italian u shpreh i lumtur edhe që do ta ketë në gatishmëri për lojë një lojtar që i ka munguar shumë Italisë siç është Chiesa.

Na vjen mirë që Federico Chiesa është rikthyer. I duhet akoma që ta gjejë përgatitjen fizike, por ndihet mirë”, përfundoi ai.

Ndeshja Shqipëri – Itali luhet nesër në “Air Albania” me fillim në ora 20:45. Të gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur dhe stadiumi pritet të jetë i stërmbushur.

Lajme të ngjashme