Mancini: Mposhtëm njërën nga kombëtaret më të forta
Roberto Mancini ka folur pas fitore që Italia shënoi kundër Anglisë me rezultat 1:0, ku vendimtar ishte goli i Raspadorit. Tani, në formë krejtësisht të papritur, Italia ka gjasa që edhe ta mbyllë në vendin e parë grupin.
“Nuk ndodhi asgjë e re” – shkruajnë gazetat më të mëdha italiane, duke ironizuar tej mase me fitoren ndaj Anglisë, pasi sipas tyre diçka e tillë është shndërruar në normalitet.
Italia edhe pse me 10 mungesa, sërish ishte shumë më konkrete dhe e fortë sesa Anglia, e cila ra në Ligën B, për të regjistruar kështu një rrëshqitje të tmerrshme.
Mancini e vlerëson lart Anglinë, duke thënë se është njëra ndër kombëtaret më të mira në qarkullim. Për këtë arsye ai e cilësoi fitore të madhe atë që e arritën të besuarit e tij.
Deklarata e plotë e Mancinit pas ndeshjes
Për transmetuesin publik italian, “RAI”, Roberto Mancini dha prononcimin e tij menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në “San Siro”.
“Ky është një rezultat shumë i rëndësishëm ndaj njërës prej kombëtareve më të forta, sepse na lë të qetë për shortin që do ta kemi (Euro 2024) dhe – përveç tjerash – kemi edhe mundësinë për ta përfunduar grupin në vendin e parë”, tha ai.
Italia tregoi një personalitet të lartë, ashtu siç e kërkoi përzgjedhësi Mancini një ditë më herët kur e zhvilloi konferencën për shtyp. Për të nuk është me rëndësi se si luan, me çfarë sistemi të lojës, por çfarë qasje ka ekipi në fushë.
“Siç kam thënë herave të kaluara, nuk ka peshë sistemi i lojës. Rëndësi ka personaliteti i skuadrës, vullneti për të sulmuar dhe për të qëndruar lart në sulm. Gjithsesi, është e qartë që kemi vështirësi të përligjura, sepse kemi lojtarë të rinj, të cilëve u mungon përvoja e bashkëlojtarëve tyre në kombëtaret tjera. Mirëpo është fitore e madhe, sepse jemi duke kaluar në një periudhë me plot vuajtje”, përfundoi ai.

Italia pas humbjes që pësoi nga Maqedonia Veriore në Palermo, dështoi që të kualifikohej në Botërorin e Katarit 2022. Ky dështim, i dyti me radhë, ka shkaktuar një mal kritikash, ku nuk është kursyer edhe vetë përzgjedhësi Mancini, edhe pse një vit më parë kishte qenë arkitekti kryesor i triumfit të Italisë në Evropianin 2021, duke mposhtur Anglinë mu në “Wembley” përmes ekzekutimit të penalltive.
Tani, Italia po kalon në një periudhë tranzicioni aspak të lehtë, ku po kërkohet që të faktorizohen më shumë të rinjtë vendorë në skuadrat përkatëse. Një reformim i vështirë, që do kohë, por që Italinë nuk e zhbën si kombëtare që është arrë e fortë për të gjithë në faza të caktuara. Pak a shumë diçka që ia vërtetoi Anglisë, edhe sot. Më mirë thënë, si disa herë, për të mos thënë si gjithmonë.

