Manchester United ngadhënjen kundër Evertonit, siguron kalimin në fazën e mëtejme të Kupës FA
Skuadra e Manchester United falë fitores 3:1 kundër Evertonit siguroi kualifikimin në fazën e 1/16 e finales të Kupës FA. Një fitore e vuajtur, pasi goli i fundit erdhi tek në fund të ndeshjes. Në anën tjetër, pas kësaj humbje të radhës Frank Lampard rrezikon shkarkimin si trajner i Evertonit.
Ten Hag e nisi mbarë rrugëtimin në Kupën FA. Manchester United ia doli ta kalojë rrethin e parë të kësaj kupe, edhe pse për ta bërë një gjë të tillë nuk e kishte të lehtë, pasi kundërshtari i sotëm, Everton, tregoi po ashtu paraqitje të mirë.
“Djajtë e Kuq” shumë shpejt gjetën golin e epërsisë. Gol ky që erdhi në minutën e 4-t, pas një asisti të Rashford për sulmuesin brazilian Antony, i cili nga afërsia shënoi.
Nga një situatë që nuk premtonte asgjë vetëm dhjetë minuta më vonë ishte vetë De Gea ai që ia ndërlikoi punët skuadrës së tij.
Ai u tregua vërtet i ngathtë dhe i çuditshëm në një devijim me këmbë që bëri Maupay në vijën fundore. De Gea pa vetën teksa topi i kaloi nën këmbët e tij, për të përfunduar kështu krejt papritmas te Coady, i cili më pas e futi topin në rrjetë.
Rolet disi u ndryshuan në fillimin e pjesës së dytë. Kësaj radhe ishte Coady ai që u bë protagonist i një autogoli, i cili doli të ishte edhe përcaktues për fatin e ndeshjes.
Në minutën e 52-të Coady nuk arriti që ta spastrojë topin në brendi të zonës, duke e dërguar atë në portën e tij, për t’ia mundësuar kështu skuadrës vendëse rikthimin e epërsisë.
Manchester United krejt në fund arriti që ta shënojë edhe golin e fundit të ndeshjes. Në minutën e 96-të talenti Garnacho u pengua në zonën e 16-metërshit.
Gjyqtari nuk pati aspak mëdyshje dhe akordoi penallti në favor të vendësve. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Rashford, i cili la të shtangur portierin kundërshtar, duke shënuar për 3:1.
Kjo ishte fitorja e shtatë rresht për Ten Hag. Një ecuri mjaft e mirë rezultatesh për trajnerin holandez. Ndërkaq me humbjen e radhës zërat për shkarkimin e Frank Lampard nga bankina e Evertonit intensifikohen akoma më shumë.
Përmbledhja e ndeshjes Manchester United - Everton:
