Manchester United mposhtet nga Sociedad, Lazio triumfon ndaj Feyenoordit
Janë zhvilluar edhe ndeshjet tjera të Ligës së Evropës që ishin në program me fillim në ora 21:00. Manchester United humbi 0:1 kundër Sociedad, kurse Lazio fitoi 4:2 ndaj Feyenoord.
Më në fund Cristiano Ronaldo u rikthye titullar për Manchester Unitedin, por pa lënë ndonjë gjurmë të madhe. “Djajtë e kuq” pushuan disa lojtarë në 11-shen e parë, duke bërë që shumë nga ata që kishin pasur minuta të mëdha në fushë gjatë ditëve të shkuara, të merrnin paksa frymëmarrje.
Sociedad ishte më konkret në fushë, duke treguar një futboll pragmatik, me pasime të shkurtra, tipike të stilit të futbollit spanjoll.
Në ndeshjen tjetër që u veçua nga ato që nisën në ora 21:00, Lazio fitoi ndaj Feyenoord në një ndeshje ku u shënuan një një breshëri golash.
Raporti i ndeshjes Manchester United 0:1 Sociedad
Manchester United nuk e nisi mirë ndeshjen. Skuadra haste në vështirësi që ta qarkullonte topin dhe nuk kishte shumë qartësi në aksionet e veta.
Sociedadi pati një lojë më të rrjedhshme e cila u vu re që në fillim. Përgjithësisht, pjesa e parë ishte pa shumë emocione, ku të dy skuadrat studioheshin në mesfushë, pa lënë shumë hapësira të zbrazura.
Me rezultatin baras, pa gola, përfundoi pjesëloja e parë. Sigurisht, 45 minutat e parë nuk është se dëfryen shumë të pranishmit në “Old Trafford”, ngase loja që u zhvillua ishte me aksione shterrpe.
Pjesa e dytë ishte më dinamike. Manchester United me anë të disa zëvendësimeve që bëri u mundua që ta zhbllokonte rezultatin.
Mirëpo një gjë të tillë e arritën mysafirët spanjollë, të cilët siguruan një penallti përmes VAR-it. Anipse vendimi u kontestua shumë nga Ten Hag, ai ishte i pakthyeshëm.
Kësisoj, në minutën e 59-të Mendez u tregua i saktë, duke mposhtur portierin spanjoll, De Gea, për ta çuar Sociedadin në epërsi prej 0:1.
Në gjysmë orëshin e fundit Manchester United u vu në sulm në gjysmëfushën kundërshtare, kur u përpoq në çdo formë që ta gjente golin e barazimit, por ia dalë me sukses.
Kështu, Sociedad vulosi një fitore tejet të madhe në udhëtim kundër Manchester Unitedit, e cila ia mundëson asaj që ta ndajë kreun e tabelës me S. Tiraspor, që mposhti Omonian me rezultat 0:3 në udhëtim.

Raporti i ndeshjes Lazio 4:2 Feyenoord
Lazio më me lehtësi seç pritej ia doli ta fitojë ndeshjen kundër Feyenoordit. Ekipi i Sarrit ishte dominues në çdo moment të lojës.
Shumë shpejt skuadra kryeqytetase italiane kaloi në epërsi, me anë të golit të Luis Alberto, që e shënoi në minutën e 4-të.
Me kaq nuk u ndal Lazio. Ishte braziliani Felipe Anderson që shënoi në minutën e 15-të për dyfishimin e epërsisë në 2:0, pasi u shërbye mjaft mirë nga Immobile.
Tryesnia e skuadrës italiane drejt portës së Feyenoord vijoi. Kësisoj, në minutën e 28-të ish-mesfushori i Interit, Vecino, shënoi për rezultatin 3:0.
Lazio uli disi ritmin në minutat e mbetura, duke u koncentruar në menaxhimin e rezultatit të thellë që ishte në të mirë të vet.
Mirëpo të besuarit e Sarrit gjetën edhe golin e katërt në ndeshje. Një i tillë erdhi falë Vecino, që shënoi në minutën e 63-të, duke e finalizuar mjaft mirë aksionin, ku u shërbye nga Luis Alberto.
Feyenoordi pasi bëri disa zëvendësime në fillim të pjesës së dytë, u mundua që ta rrisë moralin, për të gjetur golin e nderit.
Ky erdhi në minutën e 69-të të ndeshjes, kur Gimenez ishte i saktë nga 11-metërshi, pasi gjyqtari akordoi penallti në të mirë të skuadrës holandeze një minut më herët.
Feyenoord nuk u dorëzua me këtë gol. Ata gjetën forcën që ta shënojnë edhe një gol tjetër, për ta zbutur disi humbjen.
Në skenë prapë u shfaq Gimenez, i cili shënoi në minutën e 88-të, duke çuar shifratn në 4:2.
Me këtë rezultat u mbyll edhe e gjithë ndeshja. Lazio tani renditet në vendin e parë me tre pikë, po aq sa ka edhe Sturm Graz pas fitores së arritur me rezultat 1:0 kundër Midtjylland gjatë mbrëmjes së sontme.

Rezultatet tjera që u arritën në Ligën e Evropës
Këto ishin rezultatet e shënuara nga ndeshjet që filluan në ora 21:00:
Ferencvaros 3:2 Trabzonspor
Freiburg 2:1 Qarabag
Nantes 2:1 Olympiakos
Omonia 0:3 S. Tiraspol
Crvena Zvezda 0:1 Monaco
Sturm Graz 1:0 Midtjylland

