Manchester United fiton ndaj Sociedadit, Lazio eliminohet nga Liga e Evropës - NACIONALE

Manchester United fiton ndaj Sociedadit, Lazio eliminohet nga Liga e Evropës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester United mposhti Sociedadin në sfidën direkte me rezultat 0:1, por nuk ia doli që ta mbyllë grupin në vend të parë. Në ndeshjen tjetër, Feyenoord mposhti Lazion, për t’ia rrëmbyer pozitën e dytë që e dërgon në fazën e eliminimit direkt.

“Djajtë e kuq” dolën me tre pikë nga toka spanjolle, duke shënuar fitore 0:1. Mirëpo, ekipit anglez i nevojitej një fitore me të paktën dy gola epërsi që ta merrte vendin e parë në grup.

Kështu nuk ndodhi dhe në fund ishte një fitore pa shumë vlerë. Një element që ia vlen të përmendet është se Ronaldo luajti nga minuta e parë dhe bëri asistin për golin e vetëm që u shënua në ndeshje nga Garnacho.

Në Holandë ishte një tjetër storie. Atje u luajt për jetë a vdekje nga të dy ekipet, Feyenoord dhe Lazio. Feyenoordi e mposhti ekipin italian minimalisht, por mjaftueshëm sa për t’ia rrëmbyer pozitën e dytë në tabelë, duke u kualifikuar tutje. Për Lazion aventura evropiane do të vazhdojë në Ligën e Konferencës.

Raporti i ndeshjes: Sociedad 0:1 Manchester United

Ndeshje e luftuar dhe dinamike ishte ajo që u luajt në stadiumin “Reale Arena”. Përgjithësisht, ishte Sociedadi ai që pati më shumë mbizotërim në lojë.

Mirëpo, një gol i shpejtë, i shënuar në minutën e 17-të, ishte kyç për fatin e ndeshjes. Cristiano Ronaldo e gjeti të lirë Alejandro Garnachon.

Ky i fundit bëri një dalje vërtet të shpejtë dhe nga pozita e majtë me anë të një goditje drithëruese shtangi portierin, duke e kaluar në epërsi ekipin e tij 0:1.

Sociedadi mori lojën nën kontroll, duke e mbizotëruar atë përmes qarkullimit të topit dhe krijimit të rasteve për shënim. Këto raste u vunë re veçmas në pjesë të parë. Ndërsa në pjesën e dytë loja ishte më e vobekët, duke mos prodhuar shumë aksione të rrjedhshme për lojë.

Në Grupin E faza e grupeve u mbyll me Sociedadin që mban primatin me 15 pikë, me po aq pikë sa ka edhe Manchester United po që renditet në vendin e dytë. Ndërsa Sherif Tiraspol renditet në pozitën e 3-të me 4 pikë dhe Omonia në atë të fundit me 1 pikë.

Raporti i ndeshjes: Feyenoord 1:0 Lazio

Një përballja përcaktuese u luajt në stadiumin “De Kuip” të Rotterdamit, aty ku Feyenoord dhe Lazio luftuan egërsisht në fushë për t’u kualifikuar tutje. Në fund ishte ekipi holandez ai që ia doli.

Ndeshjen e nisi më mirë Lazio, që me Anderson krijoi një rast të mirë shënimi në minutën e 3-të. Lazio vazhdoi të ishte i rrezikshëm në lojë. Cancellieri iu afrua golit në minutën e 21-të, por fati nuk ishte me të.

Pastaj, deri në fund të pjesës së parë, në fraksionin e dytë të 45 minutave të para, Feyenoordi nisi të prodhojë volum loje, duke tentuar golin përmes disa goditjeve, që rezultuan të pasakta.

Në pjesën e dytë të dy skuadrat shfaqën dëshirë për ta zhbllokuar rezultatin të parët. Këtë gjë e arriti Feyenoord në minutën e 64-të. Një gabim fatal nga portieri Provedel mundësoi që Gimenez të shënonte me lehtësi të madhe për 1:0 (VIDEO).

Në minutat në vijim Lazio u mundua me të gjitha forcat ta barazojë rezultatin, por pa sukses. Ndeshja përfundoi 1:0 për Feyenoordin. Me këtë rezultat ekipi i Sarrit duhet të kënaqet me një kalim në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Konferencës, kurse ekipi nga Rotterdami siguroi kualifikimin tutje në Ligën e Evropës.

Grupin F e mbylli Mitdjylland i pari me 8 pikë, me po aq pikë sa kanë edhe Feyenoord dhe Lazio, por ekipi holandez falë golaverazhit më të mirë. Ky grup ishte i përçudshëm pasi edhe vendi i fundit, gjegjësisht Sturm Graz, kishte numrin e njëjtë të pikëve: 8.


Lajme të ngjashme