Manchester Cityn fiton me përmbysje ndaj Dortmundit, Reali mposht pastër Leipzigun
Manchester City fitoi me mund ndaj Dortmundit me rezultat 2:1, falë një rikthese në lojë që ndodhi në minutat e fundit. Real Madridi po ashtu fitoi me rezultat të pastër 2:0 kundër Leipzigut.
Erling Haaland edhe një herë ishte protagonisti kryesor për skuadrën e Guardiolas. Me golin në formë akrobatike që shënoi në minutën e 84-të ndihmoi Manchester Cityn që t’i arkëtojë tre pikat e plota.
Për hir të vërtetës, vendësit në disa faza të ndeshjes hasën në vështirësi të madhe, por kualiteti në fund u vu në pah, e mbi të gjitha ai i individëve të caktuar.
Në ndeshjen tjetër, Real Madridi u rikthye ta luajë një ndeshje të Ligës së Kampionëve në “Bernabeu” dhe këtë e bëri duke shënuar fitore ndaj Leipzigut.
Raporti i ndeshjes Manchester City 2:1 Dortmund
Pjesa e parë ishte më monotone sesa që pritej. Manchester City nuk prodhoi shumë lojë në përgjithësi, e aq më pak në 45 minutat e para. Madje, nikoqirët nuk ia dolën dot që ta bëjnë qoftë edhe një goditje në drejtim të kornizës së portës të skuadrës gjermane.
Në pjesën e dytë gjërat filluan të ndryshonin. Mirëpo shumë shpejt befasinë e regjistroi Dortmundi. Skuadra gjermane ia doli të kalojë në epërsi pas rrjedhës që mori një këndore e ekzekutuar, ku në minutën e 56-të Reus shërbeu për Billingham, i cili me kokë shënoi për 0:1.
Ndeshja hyri në një fazë shterrpe dhe Manchester City nuk po ia arrinte të prodhonte vëllim loje siç jemi mësuar ta shohim zakonisht.
Gjithsesi, Stones në minutën e 80-të ngriti në trans shikuesit në “Etihad”, pasi shënoi një gol mahnitës nga distanca prej afro 25 metrave.
Ky gol ngjalli një reagim të madh të Manchester Cityt dhe i dha një vetëbesim që mund ta shënonte edhe golin e radhës, atë të fitores.
Katër minuta më vonë ai gol erdhi përmes të përhershmti, Erling Haaland, i cili në formë akrobatike shënoi për 2:1, duke bërë që Manchester City ta fitojë këtë ndeshje.
Deri në fund, Manchester City pati edhe ndonjë rast tjetër shënimi, por nuk ia doli ta shfrytëzojë.
Kështu duket grupi ku ndodhen Manchester City dhe Borussia Dortmund pas përfundimit të javës së dytë.

Raporti i ndeshjes Real Madrid 2:0 Leipzig
Real Madridi pati vështirësi të madhe që ta aplikojë lojën e saj në pjesën e parë, me Leipzig që heraherës u shfaq i rrezikshëm.
Sidoqoftë, golat erdhën në fund të ndeshjes. Fillimisht llogaritë e golave i hapi Valverde, i cili shënoi në të dytën ndeshje radhazi dhe sërish nga distanca. Me golin që u shënua në minutën e 80-të, Reali kaloi në epërsi.
Goli i dytë dhe i fundit në ndeshje u shënua nga Asensio në minutën e 91-të, për t’ia dhënë kështu Real Madridit tre pikët e plota.
Me këtë fitore që regjistroi Ancelotti, shkon në kuotën e 6 pikëve në grupin përkatës.



