Ancelotti: Duam ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar në Ligën e Kampionëve
Carlo Ancelotti nuk e ka ndër mend të ngopet me sukseset në Ligën e Kampionëve. Në një intervistë dhënë për “Sky Sport Italia” ai ka vënë theksin te shpresa për të qenë edhe një herë triumfues në kompeticionin më të madh evropian.
Real Madridi e ka nisur me fitore edicionin e sivjem në Ligën e Kampionëve, pasi në javën e shkuar mposhti Celticun me rezultat 0:2.
Nesër, Real Madridi do të jetë nikoqir i Leipzigut, në një sfidë ku kampionët në fuqi shpresojnë që ta përforcojnë akoma vendin e parë në grupin përkatës.
Ndërkohë, Carlo Ancelotti ka treguar se ka akoma shumë uri për të qenë fitues me Real Madridin në këtë kompeticion, të cilin ka thënë se e ndjen shumë.
Dëshira për ta përsëritur suksesin
Shumë skuadra ngopën pas një suksesi. Shpesh është një gjë që është vënë në dukje. Megjithatë, këtë do të mundohet që ta shmangë Real Madridi, meqë është i interesuar që të jetë produktiv edhe në këtë edicion në Ligën e Kampionëve.
Kështu të paktën ka paralajmëruar vetë Ancelotti: “Është një kompeticion që e ndjejmë shumë dhe është shumë i rëndësishëm. Jemi të lumtur që do të rikthehemi të luajmë në ‘Bernabeu’. Shpresojmë që do të mund ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar”, potencoi ai.
Casemiro u largua drejt Manchester Unitedit, por është një lojtar që nuk po lejon të vërehet shumë boshllëku i lënë nga mesfushori brazilian. Fjala është për Federico Valverden.
“Federico është një lojtar i kompletuar. Një mesfushor që nganjëherë e përdorim si një lojtar krahu, sepse ka një dinamizëm dhe energji të mëdha. Na ndihmon si në fazë mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese”, komentoi Ancelotti.
Trajneri italian me përvojë ka treguar se lojtarët e rinj kë duhet ta kenë pikë referimi nëse dëshirojnë të zhvillohen akoma e më shumë.
“Nëse lojtarët po rrisin përformancat e tyre kaq mirë është sepse mund të marrin shembull nga ata më me përvojë, të cilët janë liderë të jashtëzakonshëm: Modric, Benzema dhe Kroos”, u shpreh Ancelotti.
Real Madrid llogaritet favoriti kryesor për ta kaluar grupin, aty ku gjendet me skuadrat si Shakhtar, Leipzig dhe Celtic. Deri më tani “galaktikët” zënë vendin e dytë me 3 pikë, me pikë të barabarta me Shakhtarin.

Po ashtu edhe në La Liga vazhdon mbizotërimi i Real Madridit pas pesë javëve të para që janë luajtur, ku pozicionohet i pari me 15 pikë, ku numëron fitore të njëpasnjëshme pa asnjë hap fals. Thënë ndryshe dy më shumë sesa Barcelona që renditet e dyta.


