Modric: Nuk ka sekret për formën time, ajo është natyrale - NACIONALE

Modric: Nuk ka sekret për formën time, ajo është natyrale

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Luka Modric është njëri prej mesfushorëve më teknikë që kemi parë në fushë në mileniumin e fundit. Sot, ai ka mbushur 37 vjet. Në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të Real Madridit ka folur për formën e tij që nuk di për rënie.

Vitet po kalojnë e forma e Modric mbetet konstante. Mesfushori kroat sot mbush 37 vjet. Shkëlqimi i tij me topin në pronësi akoma nuk është venitur.

Disa prisnin një rënie të formës nga ai, por kjo nuk ka ndodhur. Ai me mjaft mjeshtëri, pjekuri dhe mençuri po vazhdon të bëjë paraqitje të një niveli shumë të lartë, duke vazhduar ta bëjë dallimin në fushë.

Real Madridi në gjirin e vet ka pasur mesfushorë të kalibrit të përsosur gjatë historikut të tij si klub. Aty një pozitë meritore e zë edhe Luka Modric, që me pasime dhe lëvizjet e tij ka bërë që skuadrës t’i ndihmojë për të fituar shumë trofe.

S’ka sekret, gjithçka natyrale

Luka Modric është pyetur nga gazetari i kanalit zyrtar të Real Madridit në lidhje me atë sesi ia del që të ruajë këtë vazhdimësi të rendimentit edhe në këtë moshë.

“Gjithmonë pyesin për sekretin tim, por nuk di çfarë të them. Është diçka natyrale. Jetoj për futbollin 24 orë në 24. Mendoj që është shumë e rëndësishme kjo gjë. E dashuroj atë çfarë bëj dhe e shijoj shumë profesionin si asnjëherë më parë, sepse di që në një moshë të vështirë për të qenë futbollist”, shpjegoi ai.

Modrici nuk e di se edhe sa kohë do të mund të zgjasë periudha e të qenit lojtar i një niveli të tillë, por i sigurt është se do të mundohet që ta bëjë më të mirën si çdoherë.

“Ndoshta është kjo arsyeja se përse po kënaqëm kaq shumë, shumë më shumë sesa çdoherë tjetër, sepse asnjëherë nuk di se sa mund të zgjasë periudha e të luajturit në këtë nivel dhe në këtë klub, ku kërkesat janë maksimale. Mundohem të kënaqem në ushtrime dhe në ndeshje. Gjithë kjo ndihmon që të jesh dhe të ndihesh mirë në këtë moshë”, theksoi ai.

Ai në vazhdim të intervistës potencoi faktin se skuadra është hendikepuar paksa nga largimi i Casemiros, por është shprehur besimplotë që ka lojtarë të tjerë që mund ta zëvendësojnë, duke përmendur këtu edhe Tchouaméni si përforcim i ri, për të cilin tha se është duke u përshtatur mjaft mirë në ekip.

Ndër të tjera, Modric tha se ndihet falënderues ndaj Zotit që i ka dhuruar një talent të tillë dhe se për këtë arsye kërkon që të punojë dhe t’i dedikojë shumë kohës asaj çfarë bën, më saktësisht profesionit të vet.

Lajme të ngjashme