Manchester City triumfon ndaj Aston Villas, vazhdon ndjekjen e Arsenalit
Manchester City ka shënuar fitore komode në shtëpi ndaj Aston Villas, në kuadër të xhiros së 23-të në Premierligë.
"Qytetarët" zhvilluan lojë të shkëlqyer duke triumfuar me rezultat 3:1.
Pas vetëm katër minutave lojë, ishte mesfushori me tipare mbrojtëse Rodri që pas një harkimi të Riyad Mahrez kaloi Man Cityn në epërsi (4').
Pastaj, mesfushori Ilkay Gundogan dyfishoi epërsinë, mirëpo u anulua pasi Erling Haaland kishte shkaktuar një faull brenda zonës.
Dominimi i plot i "Qytetarëve" vazhdoi me norvegjezin që asistoi për mrekulli te Gundogan, i cili e kishte të lehtë të shënonte nga afërsia (39').
Në përfundimin e pjesës së parë, Jacob Ramsey shkaktoi një 11-metërsh duke bërë një ndërhyrje të rëndë brenda zonës dhe nga pika e bardhë i pagabueshëm doli Riyad Mahrez (45+1').
Pjesa e dytë ishte më e qetë, me Aston Villan që arriti ta ngushtojë epërsinë me anë të Ollie Watkins që u asistua nga Douglas Luiz (61').
Sidoqoftë, Man City kishte edhe disa raste shënimi, por që assesi s'ia dolën t'i konkretizojë dhe epilogu përfundimtar doli të jetë 3:1.
Pas kësaj fitore, Man City i afrohet shumë Arsenalit, duke mbledhur 48 pikë, vetëm tre më pak, derisa Aston Villa renditët në pozitën e 11-të me 28 sosh.
Në xhiron e radhës, Manchester City do ta zhvillojë derbin kundër Arsenalit, këtë të mërkurë me fillim nga ora 20:30.