Manchester City ‘shkatërron’ Wolverhamptonin, Haaland shënon het-trikun e radhës
Kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester City, duket se ka gjetur përsëri rrugën drejt fitoreve, pas një serie të rezultateve jo të mira. Pas fitores me rikthim ndaj Tottenhamit, tani qytetarët kanë mposhtur me rezultat 3:0 Wolverhampton Wanderers, ku të gjithë golat i shënoi Erling Haaland.
Qytetarët kishin humbur dy ndeshje radhazi, përfshirë edhe në derbin e Manchesterit, por siç duket kthesa ndaj Spurs prej humbjes 2:0 në fitoren 4:2, ka kthyer shpirtin e skuadrës, për të cilin trajneri Pep Guardiola në prag të ndeshjes tha se do të ishte i gatshëm të largohej nëse nuk do të mund ta kthente shpirtin dhe motivimin në skuadër.
Sa i përket ndeshjes, Manchester City, ishte dukshëm skuadra e vetme në fushë, doke dominuar takimin në çdo pjesë të fushës.
Një gol në pjesën e parë dhe dy të tjerë në pjesën e dytë, të gjitha nën emrin e Haalandit, dhanë tri pikët e radhës për qytetarët.
Goli i parë në ndeshje erdhi pesë minuta para se të përfundonte pjesa e parë, ku pas harkimit të Kevin De Bruynes, golin me kokë për 1:0 e gjeti Haaland.
Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë për të shkuar në pushimin e mes pjesëve.
Me të nisur pjesa e dytë, kampionët në fuqi fituan një penallti, dhe në gol për 2:0 e konvertoi sulmuesi norvegjez në minutën e 50-të.
Katër minuta më vonë, pas një gabimi trashanik të portierit portugez, ishte sërish sulmuesi shtatgjatë që shënoi, tani për 3:0, duke kompletuar het-trikun në këtë ndeshje.
Me këtë rezultat përfundoi takimi, dhe tani Manchester City gjendet dy pikë prapa liderit, Arsenal, por ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara, me topçinjtë që me fillim nga ora 17:30 zhvillon derbin kundër Manchester Unitedit.


