Manchester City shënon fitore komode ndaj Sheffield United, shkëlqen Foden me dy asiste - NACIONALE

Manchester City shënon fitore komode ndaj Sheffield United, shkëlqen Foden me dy asiste

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ka shënuar fitoren e radhës, tani duke mposhtur vendin e fundit në Premierligë, Sheffield United, me rezultat 2:0, kështu për të rrëmbyer vendin e dytë në elitën angleze përkohësisht, pozitë kjo që u cenua minuta më vonë nga Aston Villa me një fitore dramatike.

Qytetarët kanë shfrytëzuar në maksimum gabimet e rivalëve për kreun e tabelës, ndonëse në kohët e fundit po vuanin për rezultate pozitive. Një fitore me përmbysje ndaj Everton i ktheu ata në rrugën drejt mbrojtjes së titullit kampion.

Të drejtuarit e Pep Guardiolës patën një përballje të lehtë sot. Dominuan tërësisht takimin, duke poseduar topin në 84% të kohës, por që në raport me këtë krijuan shumë pak raste të mira shënimi.

Goli i parë erdhi në minutën e 14-të. Ishte Phil Foden që asistoi te Rodri, me këtë të fundit që shënoi gol fantastik për 1:0, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë e takimit.

Kampioni në fuqi i Premierligës shënoi edhe një gol në pjesën e dytë, për t'i dhënë qetësinë skuadrës deri në fund.

Ishte sërish Foden në rolin e asistuesit, që kësaj radhe dërgoi një pasim të përsosur në zonë, me Julian Alvarez që krejt çfarë duhej të bënte ishte të shtynte topin në rrjetë dhe këtë e bëri për 2:0 në minutën e 61-të.

Me rezultat 2:0 u mbyll ndeshja në Etihad Stadium dhe Manchester City me shumë gjasë e mbyll vitin 2023 në vendin e katërt por me vetëm dy pikë më pak se lideri Liverpool.

Lajme të ngjashme