Manchester City i ofron kontratë të re Haalandit pa klauzolë lirimi - NACIONALE

Manchester City i ofron kontratë të re Haalandit pa klauzolë lirimi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportohet se Manchester City do t’ia ofrojë Erling Haalandit një kontratë të re, pasi iu hoq klauzola e lirimit në vlerë prej 170 milionë eurove.

Sulmuesi 22-vjeçar iu bashkua Cityt në verë për 57.8 milionë euro nga Borussia Dortmund dhe kishte një klauzolë në kontratën e tij që do ta lejonte atë të largohej nga Etihad për 170 milionë euro në verën e vitit 2024, nëse ndonjë klub do të ishte i gatshëm ta paguante këtë shumë dhe ai do ta kërkonte largimin.

Megjithatë, sipas The Athletic, klauzola ishte e lidhur në mënyrë specifike me të ardhmen e Pep Guardiolës dhe meqenëse trajneri spanjoll e vazhdoi qëndrimin deri në vitin 2025, klubi po e përgatit tani një kontratë të re për lojtarin.

Kushtet e sakta të kontratës ende nuk dihen dhe mbetet e paqartë nëse ndonjë klauzolë e ngjashme mund të futet në kontratë më vonë gjatë qëndrimit të tij në City.

Marrëveshja e tij e tanishme vlen deri në verën e vitit 2027 dhe pas një fillimi të shkëlqyeshëm të karrierës së tij në Angli, klubi thuhet se po kërkon ta mbajë atë edhe më gjatë në klub, gjë që është dëshirë edhe e vet norvegjezit.

Për Haalandin është përfolur në të kaluarën se mund t’i bashkohet Real Madridit, pasi ai ka thënë se ka ambicie për të luajtur për gjigantin spanjoll gjatë karrierës.

Megjithatë, pas 47 golave të shënuara në 40 ndeshje në të gjitha garat, ai nuk e ka ndër mend të largohet nga Etihad të paktën në të ardhmen e afërt. /Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme