Manchester City e arrin një rekord që e mbante Manchester Unitedi në Ligën e Kampionëve
Manchester City e ka arritur një rekord që mbahej nga Manchester Unitedi, pas fitores 4:0 në Ligë të Kampionëve ndaj Slovan Bratislavës.
Ilkay Gundogan, Phil Foden, Erling Haaland dhe James McAtee gjetën rrjetën teksa kampionët e Anglisë shkuan drejt fitores në Sllovaki, duke i bërë katër pikë nga dy ndeshje në kompeticionin më të fortë evropian, që nga ky sezon funksionon me format të ri.

City tani është i pamposhtur në 25 ndeshje në kompeticionet evropiane, me humbjen e fundit të pësuar në sezonin 2021-22. E vetmja skuadër tjetër që ka shkuar në një ecuri të tillë në Ligën e Kampionëve ishin Djajtë e Kuq midis 2007 dhe 2009.
Ndërkohë, Pep Guardiola ka thyer një rekord të vendosur nga trajneri legjendar i United, Sir Alex Ferguson. City tani ka fituar 13 ndeshje me katër ose më shumë gola nën drejtimin e spanjollit në Ligën e Kampionëve, duke ia kaluar skocezit që arriti 12 me klubin nga Old Trafford.

Skuadra e Guardiolës do të shpresojë t'i bëjë dy fitore radhazi kur të takohet kundër Fulham në Premierligë të shtunën.